Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzion të Gjakut (QKKTGj) ka bërë thirrje për dhurim gjaku, duke theksuar se aktualisht ka mungesë të Grupit A.
Sipas Safete Maliqit, udhëheqëse e Departamentit të Dhurimit të Gjakut në QKKTGj, rezervat e përgjithshme të gjakut janë të mjaftueshme, por ka mungesë specifike të këtij grupi, e cila është vërejtur veçanërisht gjatë javëve të fundit.
Ajo ka theksuar se janë ndërmarrë hapa për të sensibilizuar qytetarët dhe për të siguruar furnizimin e nevojshëm.
“Për momentin Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut është me rezerva qëndron mirë, mirëpo kemi pasur rastin që gjatë javëve të fundit kemi pasur mungesë të një grupi të caktuar. Për momentin kemi grupin A mungon, kemi bërë thirrje te qytetarët në forma të ndryshme duke promovuar dhurimit për mungesë të gjakut. Qytetarët janë gjithmonë të ndërgjegjshëm dhe paraqitën. Kjo tregon që niveli i ndërgjegjësimit dhe përgjegjësisë qytetare është rritur në nivel kombëtar”, ka thënë ajo për EO.
Maliqi ka shpjeguar se, edhe pse mungesat mbulohen brenda ditës, kjo kërkon angazhim të vazhdueshëm nga i gjithë stafi i QKKTGj-së. “Kjo po mbulohet brenda ditës por don angazhim të përgjithshme të QKKTGJ, gjithë stafit. As një herë nuk pëson as kush për mungesë të gjakut, do të thotë ne brenda ditës i sigurojmë, e testojmë gjakun dhe e përgatisim për transfuzion. Duhet me cek që në muajin Ramazan ka rënë numri dhuruesve, mirëpo për shkak të mungesë së grupit A, ne kemi ftuar qytetarët, ata po i përgjigjen dhurimit dhe ne i plotësoj ato mungesa që i kemi. Kështu që operacionet nuk janë shtyre”, ka thënë ajo.
Duke theksuar rëndësinë e dhurimit të gjakut, Maliqi ka bërë apel për qytetarët që të kontribuojnë në këtë kauzë humane. Ajo ka nënvizuar se QKKTGj ka një bashkëpunim të ngushtë me institucione publike dhe private për të promovuar dhurimin e gjakut.
“Unë kisha apeluar të gjithë qytetar që gëzojnë shëndet të mirë të paraqiten në qendrën tonë për të dhuruar gjak. Nga dhurimi asgjë nuk pësojnë vetëm kanë të mira, rastësisht mund të zbulojnë edhe ndonjë sëmundje eventuale në organizmin e tyre. Përmirësojnë sistemin kardiovaskular, ndihmojnë të tjerët zhvillohet akti human. Ne kemi bashkëpunim të ngushtë në kuadër të plan programit të cilin e harton qendra jonë, bashkëpunimi është me institucionet publike-private, institucionet, organizatat e ndryshme, të cilët përgjegjësit e tyre i aktivizojnë punëtoret e tyre për të ju përgjigjur dhurimit. Ne e kemi moton “Dhuro gjak, dhuro jetë”, ne sot dhurojmë gjak kur dikush ka nevojë për të ja shpëtuar jetën, sepse gjaku është i pazëvendësueshëm në shumë situata”, ka thënë ajo për EO.