Fotografia e restaurantit të përmbytur në ditën e njëzetë të janarit të 2023-ës, tash e dy vjet është e varur në mur.
Restaurant “Vigu”, i cili zë vend në fshatin Koshtovë të Mitrovicës, atë ditë u vërshua nga shiu që rezultoj të jetë shkatërrues dhe që këtë pjesë të vendit e shndërroi në moçal.
Uji i pandalshëm e i fuqishëm nuk la gjë pa dëmtuar dhe gjendja pas vërshimeve dukej vështirë e rikuperueshme dhe shqetësuese për pronarët e restaurantit që punuan shumë që lokalin ta sjellin në ditët më të mira të tij.
Dita e 20 janarit të para dy vjetësh, ende ka mbetur e freskët në memorien e Besnik Tahiri i cili është pronari i Restaurantit, objektin të cilin për pak sa nuk e përpiu uji i Ibrit që atë ditë ishte i egërsuar.
Tahir për Kiksin thotë se pati frikë më shumë për jetët e punëtorëve.
Dëmet që lanë pasë vërshimet ishin të mëdha dhe “Vigut” iu deshtë më shumë se 1 muaj që të rindërtohej dhe dy muaj që të rimëkëmbet plotësisht. Dhe kjo sipas Tahirit u bë veç falë bankave dhe kredive.
Për biznesin e tij që e mban tash e shumë vite me plot përkushtim, Tahiri thotë që për dëmet që iu bën e që e kthyen në pikën pothuajse zero, nuk u kompensua deri më sot.
Përveç Restaurant “Vigut” në Mitrovicë, dëme bizneset pësuan edhe në Skenderaj.
Një ndër të dëmtuarat, ishte edhe Qebaptorja “Te Zeqa” në qendër të qytetit për të cilën pronari i saj, Zeqir Hyseni thotë që iu deshë ndihma e kredive dhe miqve për tu rimëkëmbur. Por që për dëmet që i patën nuk u kompensuan nga askush.
Investimin e ri të cilin u detyruan ta bëjnë në lokal, Hyseni thotë që ia mori 1 vit kohë dhe edhe sot e asaj dite mbesin me shpresën që kompensimin do e marrin dita ditës.
Jo vetëm këto dy biznese, por me qindra të tjera në komunat Mitrovicë, Skenderaj, Pejë, Dragash e Klinë ende kanë mbetur pa i parë me sy kompensimet e dëmeve që iu shkaktuan si pasojë e vërshimeve.