Siguria në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, sidomos nga vjedhjet e grabitjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri nëpër banesa e shtëpi. Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Prishtinë, ku cak i hajnave është bërë një banesë në rrugën “Gustav Majer”, ndërsa tashmë tre të dyshuarit janë arrestuar nga Policia.
Vjedhja ka ndodhur mes orës 12:00 – 15:00, ku nga banesa e viktimës A.B., hajnat kanë vjedhur 15 ora dore, bizhuteri të arit dhe një çelës rezervë të veturës.
Pas hetimeve, policia ka identifikuar të dyshuarit dhe ka organizuar një aksion, ku rreth orës 22:40, ka ndaluar veturën Mercedes AB-221-MC në rrugën Dritan Hoxha, më ç’rast janë arrestuar tre të dyshuarit.
Gjatë kontrollit, në veturë janë gjetur dhe sekuestruar bizhuteri dhe sende të dyshuara si të vjedhura.
Tre të arrestuarit janë të dyshuar edhe për dy raste të tjera të vjedhjeve të rënda dhe ishin në kërkim nga policia.
Me urdhër të prokurorit, ata janë dërguar në ndalim për 48 orë, ndërsa hetimet në lidhje me këtë rast janë duke vazhduar.