Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për një zyrtar policor në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës respektivisht stacionit policor të Veriut me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Siç njofton IPK, ky rekomandim është bërë në përputhje me parimet ligjore dhe transparencës, duke marrë parasysh rëndësinë e ruajtjes së standardeve profesionale në Policinë e Kosovës.
“Bazuar në veprimet hetimore të ndërmarra deri tani nga hetuesit e IPK-së, dyshohet se zyrtari policor jashtë detyrës zyrtare ka përdorur revolen zyrtare (me municion privat – jo zyrtar) në një fshat të Gjilanit. Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet në komunikatën për media të IPK.