Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në përvjetorin e 44-të të demonstratave studentore, thotë se më 11 mars të vitit 1981, mijëra studentë, me guximin dhe vizionin e tyre dhanë mesazhin e qartë se shqiptarët nuk i nënshtrohen regjimit dhe se liria është e panegociueshme.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, ai më tej shton se rinia heroike shqiptare, e frymëzuar nga guximi dhe vendosmëria e protestuesve të vitit 1981, vazhdoi rrugën e qëndresës deri në betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Demonstrata e 11 marsit 1981 shënon një epokë vendimtare në historinë më të re të Kosovës. Mijëra studentë, me guximin dhe vizionin e tyre dhanë mesazhin e qartë se shqiptarët nuk i nënshtrohen regjimit dhe se liria është e panegociueshme. Rinia heroike shqiptare, e frymëzuar nga guximi dhe vendosmëria e protestuesve të vitit 1981, vazhdoi rrugën e qëndresës deri në betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me gjakun dhe sakrificën e saj, ajo e bëri realitet ëndrrën e lirisë që e gëzojmë sot”, thotë postimi i kreut të AAK-së .
Demonstratat e vitit 1981, më 11 mars, më pas më 24 mars, si dhe më 1 e 2 prill, ndodhën me tërë masivitetin, duke inkuadruar më në fund në mesin e studentëve edhe klasën punëtore atë kohë.
Ato pasuan me tubimet e njohura si “Demonstratat e Punëtorëve”, në të cilat punëtorët kërkonin lirimin e studentëve të burgosur.