Sot Rifat Jashari, vëllai i komandantit Adem Jashari, feston ditëlindjen e tij të 75-të.
Një ditë më parë, të martën, djali i tij, Bashkim Jashari, u emërua në krye të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ish-kryetari i Skënderajt, Bekim Jashari, që dje zyrtarisht ia dorëzoi detyrën e të parit të kësaj komune, Fadil Nurës nga PDK, sot e ka uruar xhaxhanë e tij, Rifat Jasharin, për ditëlindjen e tij të 75-të.
“Sot mixha ynë i dashur, njeriu që për familjen tonë është gjyshi, babai, mixha, vëllai e shoku më i mirë. Mixha Rifat sot mbushi 75 vite jetë, 75 vite punë, sfida, mërzi por edhe krenari, burrëri e trimëri. Kontributi i tij për familjen tonë është i jashtëzakonshëm, si para luftës duke ndihmuar familjen tonë të madhe nga puna në Gjermani, në luftë me logjistikë për Komandantin Legjendar Adem Jashari, babushin Hamezën dhe UÇK-në në përgjithësi”, ka shkruar Jashari në Facebook.
“Ai ishte njeriu që më qëndroi mua afër në momentet më të vështira kur morëm lajmin për rënien heroike të familjes”, ka shkruar tutje ai.
Jashari e përshkruan xhaxhanë si njëri të fortë, i cili për asnjë moment nuk u dorëzua dhe nuk arriti ta mund mërzia, duke shtuar se ishte shumë krenar me vëllezërit, nipat dhe të gjithë familjen që ranë në betejën e 5,6 dhe 7 marsit 1998.
“Urime ditëlindjen mixhë i dashur, të uroj edhe shumë vite tjera të lumtura bashkë me ne dhe nipat e stërnipat që aq shumë i do. Baba Shaban, Komandanti Legjendar, Adem Jashari e babushi Hamëza pushojnë të qetë ngase ti ua përmbushe me sukses amanetin e tyre për familjen dhe fëmijët që t’i kishin lënë amanet. Të paçim gjatë i dashur mixhë!”, thuhet tutje në urimin e tij.