Ish inspektori i AKI, Burim Ramadani ka thënë se publikimi i fotografisë së presidentes Osmani me punonjëset e Inteligjencës është rrezik kombëtar.
Ai ka thënë se “duhet të jesh krejtësisht joprofesionist për të moskuptuar gabimin elementar në foton e djeshme, ku ekspozohen, sipas Presidentes, punonjëse të inteligjencës.
Postimi:
Papjekuria në krye të shtetit në tema të sigurisë është, në esencë, rrezikim serioz i sigurisë kombëtare.
Duhet të jesh krejtësisht joprofesionist për të moskuptuar gabimin elementar në foton e djeshme, ku ekspozohen, sipas Presidentes, punonjëse të inteligjencës. Por, aty ekspozohet gjatësia e trupit, flokët, pjesë të fytyrës, veshët, përmasat trupore e të ngjashme.
Pas reagimit të Zyrës se Presidentes, më vjen inat pse kam besuar që këtë fotografi e keni bërë nga mosdija! Tash po dëshmohet që ju kam mbivlerësuar, sepse e paskeni bërë me vetëdije. Rrjedhimisht, e paskeni bërë qëllimshëm!
Ju edhe mund të thoni se unë jam gabim, veç pse po insistoj në detyrimet ligjore për mos-ekspozim të heroinave e heronjve të fshehtë! Tek e fundit, a mos paraqesin gjë obligimet e detyrimet ligjore për Ju?