Me të nisur fushata zgjedhore, fjalët e zyrtarëve të partisë në pushtet ishin të mëdha, shifrat edhe më të mëdha.
Lëvizja Vetëvendosje caktoi objektivin ambicioz prej 500 mijë votash – një synim që, në teori, mund të dukej i arritshëm për partinë që dikur mobilizonte masat me qindra zotime për ndryshim.
Por, në realitetin pas një mandati të plotë, të karakterizuar nga inflacioni që gërryente fuqinë blerëse të qytetarëve, kjo shifër konsiderohej nga opinioni i gjerë publik më shumë si një iluzion politik sesa një prag i prekshëm elektoral.
Pasi kutitë e votimit u mbyllën dhe numërimi përfundoi, realiteti na dha një panoramë krejt ndryshe: 396 mijë vota për VV-në – një rënie e konsiderueshme në mbështetje krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.
Me këtë rezultat, koalicioni Vetëvendosje-Guxo-Alternativa siguroi 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, duke mbledhur rreth 40 mijë vota më pak se në zgjedhjet e kaluara.
Pavarësisht rezultatit, për kryeministrin Albin Kurti, rezultati shënoi një “fitore e padiskutueshme”—një deklaratë që më shumë tingëlloi si një përpjekje për të ruajtur narrativën e suksesit të shumëtrumpetuar qeverisës.
Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës u ngjit me rreth 3.46 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2021, duke e çuar numrin e votave totale në mbi 196 mijë dhe duke siguruar 24 ulëse në Kuvend
Kandidati për kryeministër i kësaj partie, Bedri Hamza, e lexoi atë si një refuzim të qytetarëve ndaj një mandati të dytë të Kurtit.
“Ne nuk do të përfshihemi në asnjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Kemi dallime të mëdha. Ata duan pushtet absolut. Nuk kanë as program dhe gjatë fushatës ikën nga ballafaqimi edhe në studiot e debateve”, ka deklaruar Hamza.
Katër vite më parë, kjo parti shënoi një nga rezultatet më të dobëta, duke marrë vetëm 148 mijë vota.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës përjetoi një rilindje elektorale.
Në vitin 2021, kjo parti kishte marrë vetëm 111 mijë vota, duke shënuar një nga rezultatet më të dobëta në historinë e saj.
Katër vite më vonë, LDK u rrit me 5.6 pikë përqindjeje. Kreu i saj, Lumir Abdixhiku, ndonëse pranoi se rezultati nuk ishte ai i dëshiruari, s’e fshehu entuziazmin për këtë ringritje, shkruan Nacionale.
“Jo, nuk arritëm rezultatin e menduar. Jo, nuk ndryshuam renditjen që dukej se na ishte parapërcaktuar. Për këtë kam marrë përgjegjësinë mbi supe unë! Por, po, jemi rritur! Dhe atë për plot 70 mijë vota! Si kurrë më parë! Për plot 7 deputetë më shumë!” – shkroi ai mes tjerash ditë më parë ë Facebook.
Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shënoi ndoshta rezultatin më të papritshëm në këto zgjedhje.
AAK, ndonëse mori rreth 66 mijë vota, apo 7.07% të elektoratit – një shifër e përafërt me atë të vitit 2021, këtë herë, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, nuk ishte e vetme në garë por si pjesë e një koalicioni me Nismën.
Haradinaj deklaroi pas zgjedhjeve se rezultatin e kanë përjetuar shumë rëndë.
“Rezultati për mua është zhgënjyes, e kemi përjetu shumë rëndë. Asnjëherë nuk kemi besu që nën 10-12 për qind s’do të jemi. Kemi punu shumë, kanë punuar strukturat, ka qenë një punë e madhe. Tani pse është kështu? Për besë pak vështirë. Mund të thuhet kemi dal shumë përball kësaj qeverie, me një qasje direkte, me siguri edhe kundërgoditjet kanë qenë direkte ndaj nesh”, ka thënë ai.