Imazhet e tij për luftën në Kosovë tronditën botën.
Fotoreporteri i njohur amerikan, Alan Chin, me aparat në dorë dokumentoi për krimet e tmerrshme që forcat serbe kryen ndaj popullatës civile shqiptare përgjatë viteve 1998-1999.
Chin thotë se edhe pas 26 vitesh kujtimet për luftën në Kosovë i ka shumë të freskëta.
Duke reflektuar mbi punën e tij ai ka ndarë disa prej momenteve më të tmerrshme që i mbuloi gjatë luftës.
“Si gazetar të huaj kemi pasur më shumë mundësi që të lëviznim brenda Kosovës gjatë kohës së luftës, mundësi të tilla nuk kishin gazetarët lokal. Ishte periudhë e vështirë gjatë viteve 1998-1999 kur pati ofensivë të madhe nga trupat ushtarake serbe ndaj popullatës civile shqiptare. Janë disa momente që nuk harrohen kurrë. E mbaj mend kur një ushtar i ri i UÇK-së u vra dhe familja e tij e përjetoi shumë rëndë. Ishte edhe një moment tjetër prekës kur një 11 vjeçar u vra sa ishte duke prerë dru me të atin e tij. Ishte vetëm një djalë i vogël që u vra pa ndonjë arsye nga një snajperist serb. Të gjitha këto i kam dokumentuar përmes fotografive” , tregoi fotoreporteri.
Fotoreporteri amerikan kujton edhe një moment kur e ka fotografuar nga afër kriminelin serb Zheljko Razhnatoviq i njohur me nofkën “Arkani”.
Ai tregon se Arkanit nuk i ka pëlqyer prezenca e gazetarëve të huaj.
“Zheljko Raznatoviq (Arkani) ishte i njohur më herët për veprimtaritë e tij kriminale në Bosnje, Kroaci dhe në Serbi. Gjatë asaj periudhe ai kishte një klub futbolli FK Obiliqi dhe erdhi për një vizitë në Prishtinë për të parë ndeshjen. Ne e morëm vesh që ai ishte ne qytet dhe shkuam ta shohim. Kur e pamë atë në stadium ishte i rrethuar me 50 burra të tjerë që i kishin fshehur armët. Ai sillej normal, buzëqeshte, fliste me njerëzit dhe luante me fëmijët. Ne ishim tre ose katër fotograf të huaj që i bëmë disa foto atij. Por, ai u kthye nga ne dhe na tha se ju nuk jeni fotograf sportiv. Arkanit nuk i pëlqeu prezenca jonë dhe na bëri me dije që të largoheshim sa më shpejtë nga aty”, deklaroi Chin.
Fotoreporteri i New York Times, thotë se dokumentimi i krimeve të luftës nga gazetarët ndërkombëtar tërhoqi vëmendjen e shteteve perëndimore për të ndërhyrë në Kosovë.
“Unë mendoj se ne u përpoqëm t’i bënim detyrat tona dhe u përpoqëm t’i dokumentonim krimet që po ndodhnin në Kosovë. Ne gazetarët e huaj thjesht kemi prezantuar faktet nga terreni pa mbajtur anë në luftë. Mendoj se puna jonë pati ndikim tek komuniteti ndërkombëtar dhe tek njerëzit e fuqishëm që të ndërhyjnë në Kosovë duke mos lejuar kështu të përsëritet ajo që ndodhi në Bosnje”, shprehet fotoreporteri.
Gazeta prestigjioze New York Times e nominoi dy herë fotoreporterin Chin për çmimin Pulitzer për mbulimin e konfliktit të Kosovës.