Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, institucion ky që merret me organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor në Kosovë, nuk është treguar shumë serioz në muajin e fundit. Kritikat e shumta nga partitë politike dhe shoqëria civile për procesi zgjedhur nuk i kanë bërë përshtypje kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniq dhe anëtarëve tjerë të KQZ-së.
Ndonëse procesi zgjedhor është përballur me kritika të shumta për shkak të problemeve me platformën elektronike të raportimit të rezultateve dhe problemeve tjera teknike, KQZ-ja nuk e ka prishur qetësinë e saj.
Derisa po bëhet gati një muaj nga dita e zgjedhjeve, KQZ-ja ka mbajtur vetëm dy mbledhje gjatë kësaj periudhe kohore.
Për të diskutuar për procesin zgjedhor dhe shqetësimet që e kanë përcjell këtë proces, KQZ-ja është mbledhur më 13 shkurt dhe më 25 shkurti.
Fillimisht, ky institucion është kritikuar për shkak të problemeve me platformën elektronike të raportimit të rezultateve në natën e zgjedhjeve.
Më pas, kritika ka pasur edhe për zvarritjen e procesit të numërimit të votave, proces ky që ka përfunduar tek mbrëmë.
Me fillimit e numërimit të votave të diasporës, partitë politike kanë shtuar kritikat. LVV-ja e ka akuzuar LDK-në se ka manipuluar votat me postë të diasporës, kurse LDK-ja pretendon se LVV-ja ka manipuluar votat në ambasada dhe konsullata.
KQZ-ja ka heshtur edhe ndaj presioneve të shumta që në javën e fundit u janë bërë komisionarëve, vëzhgueseve dhe numëruesve të votave në QNR nga anëtari i VV-së në KQZ, Albert Krasniqi dhe sekretari i VV-së, Alim Rama.
Ndaj këtyre veprimeve ka heshtur edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Heshtja e KQZ-së dhe presidentes ndaj këtyre veprimeve kanë nxitur reagime të shumta.
Ish-kryeshefi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Enis Halimi, e ka kritikuar ashpër KQZ-në për këtë proces zgjedhor.
Sipas tij, procesi zgjedhor është karakterizuar me parregullsi të shumta.
“Ky është rezultat i parregullsive të shumta, i degradimeve të shumë proceseve teknike në Sekretariatin e KQZ-së që janë evidentuar edhe më herët me raporte të ndryshme. Në periudhën 2013-2020 në secilin raport vendor dhe ndërkombëtar administrimi i procesit zgjedhor ka shënuar ngritje, tani kemi një tjetër raport që do të raportohet si mos më keq në raportet qoftë vendore, qoftë ndërkombëtare”, ka thënë ai për KTV.
Sipas tij, qasja e kreut të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka qenë joserioze.
“Nga Presidentja e poshtë, kemi parë degradimin e mbledhjeve në KQZ, ka pasur indicie që Presidentja ka pasur informata për qasjen joserioze të vetë kreut të KQZ-së dhe nuk çan kokën për procesin zgjedhor. Ai nuk ka adresuar me kohë proceset teknike sepse ka pasur ndryshime në rregullativën zgjedhore dhe nuk e ka shoqëruar ai dhe gjithë KQZ-ja, për çka presidentja e ka përgjegjësinë e tyre”, është shprehur ai.
Kurse, Albert Krasniqi nga ‘Demokracia plus’ e kishte kritikua heshtjen e presidentes Osmani.
Ai kishte kërkuar që presidentja të marrë masa ndaj anëtarit të VV-në në KQZ, Alban Krasniqi, i cili po bënte presion në QNR.
“Modeli i përcaktuar për KQZ-në në Kosovë është ai i një institucioni të pavarur, ku anëtarët e saj betohen për të shërbyer në mënyrë të paanshme dhe profesionale. Çdo përpjekje e anëtarëve të KQZ-së për të ndërhyrë në punën e komisionerëve dhe vëzhguesve të subjekteve politike, përmes ndikimit apo presionit, është tërësisht e papranueshme. Këto ndërhyrje duhet të ndalen menjëherë për të garantuar integritetin e procesit të numërimit të fletëvotimeve. Në të kundërtën, Presidentja e Kosovës duhet të ndërmarrë masa për shkarkimin e anëtarëve që shkelin detyrimet e tyre, veçanërisht ndaj atyre që janë përsëritës në cenimin e administrimit të zgjedhjeve”, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në “Facebook”.