Për t’u vaksinuar kundër COVID-19 në Kosovë, tashmë është bërë mjaft e lehtë. Qeveria e Kosovës u ka dhënë mundësi të ndryshme qytetarëve të saj që të marrin vaksinën anti-COVID.
Ndër to është edhe mundësia për tu vaksinuar kudo, pa termin, pavarësisht vendbanimit a shtetësisë.
Pavarësisht kësaj, kosovarët nuk po duken fort të interesuar për tu mbrojtur nga koronavirusi. Numri i qytetarëve të interesuar për tu vaksinuar ka rënë gjatë këtyre ditëve. Gjatë javëve të fundit, numri i të vaksinuarve në baza ditore është nën 2 mijë persona.
Kryeministri i vendit Albin Kurti ka thënë se deri tani janë administruar 1 milion e 612 mijë vaksina. Sipas tij, më një dozë janë vaksinuar rreth 65%, ndërsa me dy doza janë vaksinuar 57% e të rriturve të moshës mbi 16-vjeç.
Por, këtë shifra nuk përkojnë me ato të publikuara në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas statistikave të publikuara në ueb-faqen e MSH-së, me dozën e parë janë vaksinuar 53% e popullsisë, ndërsa me të dytën 47 për qind.