Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), u ka bërë thirrje prindërve që të vaksinojnë fëmijët kundër fruthit, shytave dhe rubellës.
Sipas këtij instituti, gjatë këtij viti janë regjistruar disa raste sporadike me fruth.
Në kuadër të mbrojtjes së shëndetit publik dhe me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjeve ngjitëse dhe ruajtjes së shëndetit të fëmijëve, është shumë e rëndësishme që të siguroheni që fëmijët e juaj të jenë të vaksinuar me vaksinat MMR (fruthi, shytat dhe rubella). Gjatë këtij viti (periudha janar-mars 2025) janë regjistruar disa raste sporadike me fruth në vendin tonë, ndërkohë që vaksina mbetet mënyra më e sigurt për parandalimin e rasteve të reja”, thuhet në njoftim.
IKSHPK ka dhënë edhe informacione për vaksinën MMR që merret në këto raste.
“Vaksina MMR jepet për të parandaluar fruthin, shytat dhe rubellën. Ajo është e sigurt dhe e efektshme dhe është një nga mënyrat më të mira për të mbrojtur fëmijët nga këto sëmundje. Kur duhet të vaksinohen fëmijët? Vaksina MMR, sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit, jepet në dy doza: Doza e parë në moshën 12-15 muaj dhe doza e dytë në moshën 5-6 vjeç”, njofton IKShPK.
Tutje theksohet se fëmijët të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë arritur që ta marrin vaksinën sipas kalendarit të rregullt, mund të vaksinohen në çdo kohë, duke qenë se vaksina mund të jepet edhe pas moshës 6 vjeçe.
“Është e rëndësishme që fëmija ta kompletojë serinë e vaksinimit duke i marrë të dy dozat e vaksinës MMR, për ta siguruar mbrojtjen e plotë. Vizitoni Qendrën e Mjekësisë familjare më të afërt, aty mund ta vaksinoni fëmijën. Të gjithë fëmijët që janë të vaksinuar me vaksinat MMR janë të mbrojtur nga këto sëmundje ngjitëse, dhe ndihmojnë kështu në parandalimin e përhapjes së tyre”, thuhet në njoftim.