Petrit Reçica, kryeshefi ekzekutiv i kompanisë përgjegjëse për mirëmbajtjen e mbeturinave në kryeqytet “Pastrimi”, ka reaguar pas deklaratës së drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, i cili akuzoi kompaninë për dëmtim të një kontenjeri.
Ai ka thënë se dëmtimi i kontenjerit është një rast i izoluar, teksa ka thënë se Brestovci s’ka reaguar për raste të vjedhjes dhe djegies së tyre.
“Megjithatë, dëshiroj të shtoj një çështje që ka mbetur e pa adresuar deri tani. Drejtori Brestovci ka reaguar për këtë rast të vetëm, por ka qëndruar i heshtur dhe pa reagime kur kemi pasur incidente të tjera më të rënda në qytet, si dëmtimet nga materialet inerte dhe te forta kontenierëve si dhe djegia e tyre e deri tek vjedhja e tyre që ndodh në pjesë të ndryshme të Prishtinës. Këto veprime kanë shkaktuar shqetësim të gjerë edhe për ne si ndërmarrje dhe kërkojnë një përgjigje më të shpejtë dhe të koordinuar nga institucionet përgjegjëse. Për të gjitha këto është njoftuar Drejtoria të cilën ai e udhëheqë!“, ka thënë ndër të tjera Reçica.
Udhëheqësi i kësaj kompanie tutje ka ironizuar me Brestovcin, duke thënë se po merret edhe me dritat e kamionëve.
“P.s. Meqenëse Brestovci e ka lëshu nivelin në mikromenaxhim sa që merret edhe me drita të kamionëve, ne i bëjmë ftesë publike të bëhet pjesë e kompanisë sepse kemi disa pozita të lira në mekanikë”, ka thënë ai.