Liderët evropianë kanë reaguar pas Samitit të Britanisë për Ukrainën.
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk ka postuar në X duke thënë se “Evropa është zgjuar”, krahas një fotografie të liderëve në samitin më herët sot, shkruan BBC.
Tusk thotë se të pranishmit “flisnin me një zë për ndihmën ndaj Ukrainës, nevojën për bashkëpunim të ngushtë transatlantik dhe forcimin e kufirit lindor”.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, gjithashtu ka reaguar dhe thotë “e vetmja gjë që absolutisht nuk mund ta përballojmë është një paqe [në Ukrainë] që nuk zgjat”.
Ajo vazhdon: “Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur vlerësojmë atë që po propozohet, veçanërisht në përgjigje të kësaj pyetjeje kyçe: a mund të cenohet kjo paqe? Sepse, për fat të keq, ne e kemi parë këtë të ndodhë në të kaluarën”.
Kancelari gjerman në largim Olaf Scholz, po ashtu reagoi në X, duke përmendur se të qenit “aleatë transatlantikë” në NATO mbetet “çelësi për sigurinë” në SHBA, Kanada dhe Evropë.
Ai thotë se aleanca është forcuar vitet e fundit “me anëtarë të rinj dhe shpenzime të mbrojtjes” dhe kjo është “rruga që do të vazhdojmë të ndjekim edhe në të ardhmen”.
Kryeministri holandez, Dick Schoof, gjithashtu në X, përsërit se Evropa “duhet të marrë një rol më të madh në garantimin e sigurisë për kontinentin tonë” dhe shton se “marrëdhëniet e mira transatlantike janë gjithashtu të domosdoshme”.