Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar një takim me mësuesit shqiptarë që punojnë në Greqi gjatë mesditës së së dielës. Gjatë këtij takimi, ai ka njoftuar fillimin e një programi mbështetjeje financiare për 50 mësues të parë, një nismë që është bërë për herë të parë nga qeveria shqiptare.
Rama theksoi se ky program do të zgjerohet më tej në shtete të tjera. Ai vlerësoi rolin e mësuesve, duke i cilësuar ata si bartës të një misioni fisnik për ruajtjen dhe transmetimin e gjuhës shqipe tek brezat e rinj.
“Me mësuesit shqiptarë në Greqi, ku nisim për herë të parë një program mbështetje financiare për 50 mësues, që do të zgjerohet më pas edhe në shtete të tjera, për ata që me misionin patriotik për të ruajtur e trashëguar gjuhën shqipe, mes sakrificave e ndjenjës së përkatësisë, i mësojnë gjuhën tonë të bukur fëmijëve shqiptarë, duke i mbajtur të lidhur fort me rrënjët e tyre, e për t’iu dhënë një mundësi më shumë për t’u kthyer e për të jetuar aty ku e kanë zemrën, në Shqipëri”, tha Rama.