Në hapjen e samitit për Ukrainën në Londër, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer – i rrethuar nga presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe ai i Ukrainës, Volodymyr Zelensky – theksoi pritjen e ngrohtë që ia bëri mbrëmë liderit ukrainas.
“Ne jemi të gjithë me ju, me Ukrainën, për aq kohë sa duhet”, tha ai, siç shkruan The Guardian.
Ai tha se Europa është në një moment të rëndësishëm pasi “arritja e një rezultati të mirë për Ukrainën nuk është vetëm një çështje e së drejtës; është jetike për sigurinë e çdo kombi këtu dhe shumë të tjerëve gjithashtu”.
Starmer tha se ka folur më herët me vendet baltike.
Ai tha se synon të punojë në një plan që Ukraina “më pas ta diskutojë atë me SHBA-në dhe ta çojë përpara së bashku”.
Bisedimet e sotme do të përqendrohen në “si ne mund të ofrojmë paqe të drejtë dhe të qëndrueshme së bashku”, thotë ai, dhe si të mbështetet Ukraina, “sepse edhe pse Rusia flet për paqe, ata po e vazhdojnë agresionin e tyre të pamëshirshëm”.
Në takim po marrin pjesë, ndër të tjerë, edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, kryeministri i Finlandës, Alexander Stubb, kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez e ai i Kanadasë, Justin Trudeau.