Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar sërish nga burgu.
Veliaj ka publikuar në Facebook një video përmend sërish prokurorin që po heton rastin ndaj tij, Ols Dados, duke thënë “ka stisur aq shumë në “dosjen e rremë kundër meje, saqë më ka faturuar si korrupsion edhe këtë shtëpi modeste 1-katëshe”.
Lexoni të plotë postimin e Veliajt:
Shikojeni pak këtë video për të kuptuar se deri ku shkon fantazia e shfrenuar, prej prokurori ndërtues, e Ols Dados, i cili ka stisur aq shumë në dosjen e rremë kundër meje, saqë më ka faturuar si korrupsion edhe këtë shtëpi modeste 1-katëshe, që një familje e nderuar nga Yrsheku, me kursime e borxhe, ka ndërtuar me dokumentacionin ligjor të dhënë nga shoqëria “Fusha”.
Prokurori ndërtues e di shumë mirë që për të aplikuar për leje ndërtimi, si për një shtëpi 1-katëshe, ashtu edhe për një pallat shumë katësh, ligji kërkon që ndërtimi të bëhet nga një shoqeri me licencat përkatëse.
Familja punëtore nga Yrsheku, ndryshe nga prokurori ndërtues, nuk është paraqitur asnjëherë në Bashkinë e Tiranës për t’u interesuar për lejen e ndërtimit dhe ec e merre vesh tani se si paskam bërë unë korrupsion me Fushën, për këtë shtëpi me sipërfaqe 90m2.