Lionel Messi është fituesi i Topit të Artë 2021. Triumfi i shtatë në karrierë për Pleshtin, i cili mposhti konkurrencën e Robert Lewandowskit dhe Jorginhos, respektivisht i dyti dhe i treti në renditje. Sulmuesi i Bayernit u ngushëllua me çmimin e sulmuesit më të mirë të vitit, por është e kotë të thuhet se është një zhgënjim i madh për polakun, goleadori i jashtëzakonshëm e të paktën në dy vitet e fundit i pandalshëm nga mbrojtjet kundërshtare dhe shumë më i spikatur se protagonistët e tjerë të mëdhenj.
Në fjalët e para të argjentinasit, që gjysmën e sezonit të trofeut e luajti me Barcelonën dhe tjetrën me PSG, në qendër ka qenë pikërisht sulmuesi polak i Bayern Mynih, që tregon se edhe vetë Messi e di se Lewandowskit i është bërë një padrejtësi. Një padrejtësi që nisi me mosdorëzimin e Topit të Artë në vitin e kaluar për shkak të pandemisë, me polakun në mënyrë evidente dominues të skenës së futbollit ndërkombëtar dhe u kulmua tani, me argjentinasin që ka në favor vetëm Kupën e Amerikës të fituar: “Lewandowski e meritoi ta fitonte Topin e Artë këtë vit, por kombëtarja ka peshuar shumë në këtë çmim. Shpresoj ta fitojë vitin tjetër” tha Messi, duke harruar se ai që shkeli shkallën më të ulët të podiumit Jorginho ka fituar kampionatin Europian me Italinë dhe Champions League me Chelsea.