Zyra e Bashkimit Evropian ka shënuar sot Ditën Ndërkombëtare të OJQ-ve, duke dhënë dhe një lajm se janë mbi 880 milionë euro në dispozicion për zbatimin e Agjendës së Reformave të Kosovës.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, theksoi rëndësinë e organizatave të shoqërisë civile dhe mediave në fuqizimin e demokracisë dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Ai vlerësoi rolin e tyre si partnerë kyç dhe theksoi se Kosova është me fat që i ka.
“Sot jemi këtu, në Ditën Botërore të OJQ-ve, për t’u dhënë rëndësinë e merituar organizatave të cilat udhëhiqen nga interesi publik dhe e mira e përbashkët, atyre që sjellin ndryshime shoqërore dhe avokojnë për të drejtat dhe mirëqenien e popullsisë. Sot kemi ftuar organizatat që kanë marrë një grant nga BE-ja në vitin 2024. Megjithatë, BE-ja ka mbështetur një numër të madh organizatash të shoqërisë civile dhe mediave gjatë dy dekadave të fundit. Në mënyrë të pashmangshme, ju jeni gjithashtu një partner i paçmuar në procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE, jo më pak për faktin se keni një aftësi të jashtëzakonshme për të ndjerë pulsin dhe nevojat e shoqërisë në çdo kohë. Kosova është me fat që ju ka”, ka deklaruar ai.