Vëllai i boksierit të ndjerë, Besar Nimani ka deklaruar se nuk ka gisht në sulmin e së mërkurës jashtë gjykatës në Bielefeld, ku mbetën të plagosur katër persona.
Berat Nimani i kishte thënë “Bild” më herët se familja ka jetuar në frikë të vazhdueshme që nga vrasja e Besarit në mars të vitit të kaluar.
“Një nga vrasësit e Besarit është duke ecur i lirë. Që nga vrasja e tij ne kemi jetuar në frikë të vazhdueshme”, tha Nimani.
Dy persona dyshohen për vrasjen e Besar Nimanit. Njëri, Huseyin Akkurt, u arrestua në qershor të vitit të kaluar në Bruksel. I dyshuari tjetër, Aymand Dawoud Kirit, është në arrati.
Mes katër të plagosurve mësohet se janë babai dhe vëllai i Akkurtit.
Avokati i Nimanit, Peter Wuller, ka thënë se klienti i tij këmbëngul në pafajësinë e tij dhe do të dorëzohet në ditët në vijim.
“Kam pasur disa kontakte me zotin Nimani menjëherë pas aktit shumë gjakftohtë në mes të ditës në Bielefeld. Ai më kërkoi ta përfaqësoja. E gjithë situata është shumë konfuze. Pasi të kem një pasqyrë të plotë të çështjes dhe të flas me prokurorin publik, klienti im do të shkojë në polici dhe do të dorëzohet. Berat Nimani më siguron pafajësinë e tij dhe thotë se nuk kishte asnjë lidhje me të shtënat para gjykatës së rrethit”, tha Wuller.
Sipas gazetës gjermane “Bild”, Nimani nuk ndodhet në Bielefeld por në një qytet tjetër. Policia kishte kontrolluar banesën e tij.
Dëshmitarët pretendojnë se kanë parë Berat Nimanin dhe motrën e tij në një makinë të zezë që është larguar nga vendi i ngjarjes. Pjesëmarrësit e gjyqit vunë re gjithashtu se të dy u larguan nga salla e gjyqit para kohe.