Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media, ka folur për kritikat e fundit të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe shteteve tjera perëndimore ndaj institucioneve të Kosovës të cilat mbyllen në Veri disa qendra paralele sociale.
Haxhiu ka thënë se veprimet dhe vendimet e tilla të institucioneve të Kosovës s’janë kundër partnerëve apo kundër qytetarëve të Kosovës.
Siç ka thënë ministrja, ato qendra janë mbyllur meqë dyshohet se përmes tyre është bërë presion për zgjedhjet e 9 shkurtit.
‘’Veprimet apo vendimet e institucioneve të sigurisë nuk janë kundër partnerëve tanë apo kundër qytetarëve kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës. Përkundrazi, këto Qendra janë mbyllur nga Policia e Kosovës sepse dyshohet se nëpërmes tyre është ndërhyrë apo është bërë presion për zgjedhjet e 9 shkurtit duke kushtëzuar votën e qytetarëve të komunitetit serb”, ka thënë ministrja.
“ Vet shefja e misionit të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë ka deklaruar se Serbia ka ndërhyrë në procesin zgjedhor. Këto qendra dyshohet se kanë qenë instrumenti i ndërhyrjes, prandaj edhe ka pasur reagim ligjor dhe të duhur institucional. Ne kemi përgjegjësi ndaj ligjit. Kemi përgjegjësi ndaj Kushtetutës së Kosovës dhe qytetarëve që të sigurojmë integritetin e procesit zgjedhor dhe të sigurohemi se vota e secilit është lirë dhe gara zgjedhore është fer”, ka shtuar Haxhiu.