Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve sot, me fillim nga ora 16:00, do të nis procesi i numërimit të votave të diasporës, nga votimi në përfaqësitë diplomatike.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
“Ju njoftoj se procesi i numërimit të votave nga votimi në përfaqësitë diplomatike, i zhvilluar më 8 shkurt 2025, do të fillojë më 26 shkurt, në orën 16:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, ka deklaruar Elezi.
Krahas votimit përmes postës, shtetasit e Kosovës që jetojnë në diasporë për herë të parë kanë pasur mundësi që të votojnë fizikisht nëpër përfaqësi diplomatike, kjo pas ndryshimeve ligjore që janë bërë.
Votimi jashtë Kosovës është është zhvilluar në 30 përfaqësi diplomatike, me gjithsej 43 vendvotime. Nga 20 mijë e 324 votues të regjistruar, kanë votuar 75.57% e tyre apo 15 mijë e 352.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të premten ka përfunduar me numërimin e votave të kandidatëve për deputetë e verifikimin e atyre për subjekte politike.
Sipas të dhënave të publikuara nga ky institucion, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 40.90 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 22.03 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.64 për qind e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7.46 për qind.