Policia e Kosovës, nëpërmjet Sektorit për Hetimin e Krimeve të Luftës, ka ndaluar një person të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.
Arrestimi ka ndodhur më 25 shkurt 2025, në pikën kufitare të Jarinjës, shkruan Gazeta Papirus.
I dyshuari, me iniciale (D.R.), akuzohet për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullatës civile” gjatë periudhës 07-10 maj 1999, në komunën e Gjakovës. Hetimet kanë treguar se ai ka vepruar në grup dhe të organizuar si pjesëtar i një njësie të përbërë nga MUP-i serb.
Pas ndalimit, i dyshuari është shoqëruar në stacionin e Policisë së Kosovës, ku është intervistuar në prani të avokatit të tij mbrojtës. Prokurori i rastit, në Prokurorinë Speciale të Kosovës, është informuar për veprimet hetimore dhe ka lëshuar aktvendimin për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, në përputhje me procedurat ligjore.
Policia e Kosovës ka theksuar angazhimin e saj të vazhdueshëm për të siguruar drejtësi për viktimat e krimeve të luftës dhe për të bashkëpunuar ngushtë me autoritetet përkatëse në hetimet e mëtejshme.