Ismet Tara mohoi të ketë deklaruar për UNMIK-un se UÇK-ja ka vrarë kolaboracionistët dhe të burgosurit e tyre.
Madje, Tara u nervozua në Hagë duke i kërkuar avokatit të Veselit, Rodney Dixon që t’ia largojë dokumentin me arsyetimin se nuk mund ta shoh, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Ismet Tara nuk ka asnjë dëshmi që dikush është vrarë… nuk i ka ndodhur Ismet Tarës që të japë dëshmi të rreme atëherë. Hiqma këtë dokument se nuk mund ta shoh më, nuk mund ta shoh më. Ti mund të bësh pyetje sa dush, por kur i dedikohesh këtij dokumenti… unë po them që as nuk i kam dhënë as nuk e kam takuar. Ti prap ‘a mund të jetë ajo e saktë, a mund të mos jetë’. Por duhet të vijë ajo ta pyesh atë a ka qenë e saktë a jo”, tha Tara.
Fillimisht, nga avokati i Veselit, Rodney Dixon dëshmitari u pyet se a ka marrë ndonjëherë urdhër nga nivelet më të larta, siç janë zonat dhe Shtabi i Përgjithshëm për të arrestuar dhe vrarë kolaboracionist.
“Kurrë, asnjëherë”, tha Tara.
Ai mohoi se i ka thënë UNMIK-ut se UÇK-ja i ka rrëmbyer kolaboracionistët, i ka vrarë në vend ose ndonjëherë ua ka djegur trupat dhe i ka lënë që të ua hanë egërsirat.
Jo që kam thënë, por as që jam pyetur”, tha ai.
Gjithashtu, mohoi se ka thënë që UÇK-ja i ka vrarë të gjithë të burgosurit që kishte ndaluar.
“As që i ka vrarë të gjithë, e as që i ka vrarë asnjërin, unë se di”, tha ai.
Dëshmitari përsëriti edhe njëherë që nuk është takuar me Ana Vanozin (nga UNMIK) për të dhënë dëshmi dhe se një dëshmi të tillë nuk e ka dhënë ndonjëherë.
Me kaq mbaruan pyetjet e Dixon për dëshmitarin, për të vazhduar më pas me pyetjet e mbrojtjes së Jakup Krasniqit, avokatit Aiden Ellis.
Ai sërish theksoi se nuk është takuar me Ana Vanozin për të diskutuar për gjërat që u përmendën më lartë.
“Në qoftëse ajo më njeh mua, unë nk e njoh. Kurrë nuk e kam parë”, tha Tara.