Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona në Pejë, pasi dyshohen për kryerjen e veprës penale “Vrasje” dhe “Shkaktimi i Rrezikut të Përgjithshëm” ndaj dy viktimave në Pejë.
Pesë personat që u arrestuan nga Policia mbrëmë në lidhje me këtë rast janë: Fatos Çollaku, Roland Beqiri, Demokrat Muçaj, Dardan Ramqaj dhe Shpend Kelmendi, të cilët janë ndaluar për 48 orë.
Të arrestuarit janë hetuar nën dyshimin për veprën penale “Krim i organizuar” dhe për përgatitjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”. Të njëjtit dyshohet se kanë bërë marrëveshje, janë organizuar dhe kanë planifikuar kryerjen e një vrasjeje, si dhe janë përfshirë në krim të organizuar.
Ndërkaq, një muaj më parë ishin arrestuar Qëndrim Elshani, Mentor Dreshaj, Leon Dreshaj dhe Adrian Gashi. Tre të parëve gjykata iu kishte caktuar një muaj paraburgim, ndërsa i fundit u lirua në procedurë të rregullt.
Të arrestuarit dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal që udhëhiqet nga Demë Elshani, një i arratisur tash e 22 vite nga Kosova.
Sipas njoftimit të policisë, grupi kriminal u shkatërrua pasi u kap në flagrancë duke pranuar armën për kryerjen e një vrasjeje në Pejë.