Vetura taksi ishte në pritje.
Por dy të panjohur nuk shkuan aty për të udhëtuar me të.
Sapo u afruan, dyshja gjuajtën me armë zjarri në drejtim të taksistit.
E pastaj u larguan nga aty.
Lajmin e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, të cilët thanë se të dyshuarit janë në arrati.
“Rr. Isa Boletini Prishtinë 21.02.2025-19:55. Raportohet se viktima mashkull kosovar, është gjetur i plagosur nga arma e zjarrit. Viktima është dërguar në QKUK. Sipas dëshmitarëve, të dyshuar janë dy persona të panjohur të cilët kanë ikur nga vendi i ngjarjes”, thuhet nga Policia e Kosovës.
E këto raste, sipas ekspertit të sigurisë, Selam Shkodra po ndodhin për shkak të mbajtjes së armëve pa leje.
Sipas tij, institucionet duhet të punojnë më shumë në identifikimin e personave që mbajnë armë të tilla.
“Institucionet e vendit duhet të bëjnë më shumë në këtë drejtim për ta çarmatosur popullatën, të ketë edhe programe vetdijësuese, por edhe operacione sistematike të Policisë së vendit duke rritur kontrolle të hyrje daljeve të qyteteve dhe duke shtuar prezencën e Policisë dhe njëherit duke punuar me policët, me komunitetin, në kuptimin e asaj që të parandalohen personat apo të identifikohen ata që mbajnë armë pa leje”, tha Shkodra.
Dhjetë ditë më parë, në Skenderaj ishte vrarë një person rreth moshës 42 vjeçare në sheshin e qytetit.
Ngjarja dyshohej se kishte ndodhur për shkaqe pronësore. /Teve1