Shkruan: Rozetë Telaku
Me duar të arta dhe vizion të veçantë, Fatos Krasniqi nga Vushtrria transformon copa druri në vepra arti që të lënë pa fjalë.
Përmes kësaj interviste zbulojmë procesin krijues, frymëzimin dhe pasionin që fshihet pas këtyre kryeveprave unike.
“Ka përafërsisht 12-13 vjet që kam filluar të punoj me më shumë perkushtim në dru. Ky përkushtim ka filluar me dërrasa të paletave, të cilat në kokë të tyre kam punuar figura të shtazëve, si breshka, cjapi, elefanti, majmuni, kërmijtë, zogj e shumë figura tjera dhe këtu fillova më shumë të merrem me këtë lloj arti” u shpreh Fatosi për gazetën “Papirus”.
Të punosh me dru nevojitet kohë e përkushtim por sipas Krasniqit pasioni duhet të jetë patjetër.
“Të punosh me dru fillimisht kjo kërkon të jesh person i pasionuar pas saj, ta duash atë, të kesh durim sepse kërkohet kohë për realizimin e një punimi. Shembull kohëzgjatja e një shqiponje me dimenzion 1 metërshe merr kohë afërsisht tre dite pune, pastaj figurat kombëtare, si Baci Adem, Skënderbeu e luftëtarët e lirisë nuk janë të lehta për t’u realizuar kështu që merr kohë gjithçka. Poashtu platojat e ushqimit për të cilat unë i pirogravoj, marrin kohë deri sa të vizatojë ndonjë motiv e me pas duhet ta djeg” shtoi ai.
Punimet që Fatosi bën janë e gjitha artizanale, të gjitha punët kryhen me dorë si prerja, gdhendja, vizatimi dhe vlen të ceket se drurin që ai përdor për të punuar është i plotë (masiv) siç është druri i arrës, ahut, bungut, mollës së egër etj.
Puna që ai bën ka gjetur vlerësim nga persona që e duan artin e tij.
“Klientët janë shumë të interesuar në punime të drurit, si për shembull shqiponjat me dimenzione të ndryshme, stema të UÇK-së të personalizuara dhe me portret, portrete familjare, mbishkrime të ndryshme në dru, platoja te ushqimit te pirogravuara (vizatime në djegie punim dore gjithmonë)”- u shpreh Krasniqi.
Ai në fund kërkoi që kjo punë të ketë përkrahje më shumë nga institucionet pasi edhe mjetet që përdoren janë të shtrenjtë gjithashtu propozoi që edhe në shkolla të ketë atelie të ndryshme ku nxënësit të shohin nga afër sesi realizohet puna me dru.