Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, ka vizituar sot Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Beograd, ku ka edhe stendë Zyra për Kosovën, në të cilën ata kanë vendosur të prezantojnë potencialin turistik të Kosovës.
Gjatë vizitës në këtë stendë, Vuçiqi ka pyetur drejtorin e Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq për kompleksin turistik “Rajska Banja” që gjendet në fshatin Banjskë të Zveçanit, kompleks të cilin e ka konfiskuar shteti i Kosovës pas agresionit serb në Banjskë shtatorin e vitit 2023, raporton “radiokim”, transmeton Klankosova.tv.
“Petar, kur do të fillojë të funksionojë ‘Rajska Banja’?”, pyeti Vuçiqi, Petkoviqin.
“Ajo tani është konfiskuar”, u përgjigj Petkoviqi, për çka Vuçiqi tha: “Ata i vodhën të gjitha”.
Në të njëjtën mënyrë Petkoviqi u përgjigj: “Ata i morën të gjitha. Ne do të luftojmë”, tha Petkoviqi, i cili është edhe kryenegociator në dialogun e Brukselit mes Kosovës e Serbisë.
Vuçiqi më pas u tha gazetarëve duke shëtitur nëpër panair: “Unë nuk pyeta rastësisht për ‘Rajska Banjën’, dhe ata i vodhën të gjitha. Do të jetë, dhe do ta kthejmë”, tha ai.
Më pas, duke iu përgjigjur pyetjeve për rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë, ai tha se Albin Kurti nuk ka marrë aq vota sa ka pritur, dhe ka theksuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë nuk i ka numëruar votat as pas 11 ditësh dhe se shpreson që ky proces do të kryhet.
Kujtojmë se pas agresionit në Banjskë në shtator të vitit 2023, kompleksi turistik u konfiskua nga Policia e Kosovës dhe më pas Agjencia Kosovare e Privatizimit e vendosi këtë kompleks nën menaxhim.