Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës që përjetojnë kryesisht nga partnerët e tyre. Kjo dukuri shqetësuese ka marrë përmasa të mëdha kohëve të fundit dhe kjo dëshmohet çdo ditë me numrin e rasteve të tilla që denoncohen në Polici, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Prishtinë, ku një 35-vjeçare ka kërkuar ndihmën e Policisë dhe e ka denoncuar burrin me të cilin bashkëjeton që disa vite.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se i dyshuari 65-vjeçar ka ushtruar dhunë fizike ndaj gruas pas një konflikti verbal mes tyre, e po ashtu edhe dhunë psikike në vazhdimësi.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion për intervistim, ndërsa viktima është kthyer te familja e saj.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj të dyshuarit për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.