Kryeministri në largim, Albin Kurti, as nuk do t’ia dijë për ftesat e Prokurorisë për intervistim në lidhje me keqpërdorimet në rezervat shtetërore. Konsekuencat ligjore, prej gjobës 250 euro e deri te burgimi një mujor, po i duken qesharake. Ai, madje, është bërë ‘babëlok’ kur e ka sfiduar Prokurorinë nëse ka guxim për t’i shkuar në zyrë. Sjellja e tij si kryeministër është e njejtë me atë kur, para dhjetë vitesh, arratisej dhe shpërfillte urdhërarrestin e gjykatës. Ndonëse në intervista për media të huaja e tjerr imazhin sikur Kosova është demokracia më e fortë në rajon, sjellja e tij e vë atë në shoqëri me liderë autoritarë nga Ukraina, Turqia e Pakistani.
Col Mehmeti
As në ditët e fundit të mandatit, kryeministri në largim, Albin Kurti nuk po i begenis institucionet e drejtësisë.
Ai e ka sfiduar ftesën e Prokurorisë Speciale për t’u intervistuar në cilësinë e dëshmitarit fillimisht me refuzim, e pastaj edhe me kushte.
Krejt ndryshe nga praktika e etabluar, Kurti ka kërkuar që prokurorët t’i shkojnë në zyrë për intervistim.
“Prokurorët kanë ardhur në Kryeministri edhe më herët. Unë guxoj t’ju them ‘S’po vij’, të shohim tash a guxojnë ata të vijnë”, ka qenë haberi i tij i vetëm për Prokurorinë.
Së fundmi, është konfirmuar zyrtarisht se Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata që ta urdhërojë kryeministrin për të shkuar e dëshmuar në lidhje me rastin e keqpërdorimit të rezervave shtetërore.
Kërkesa në fjalë është bërë qysh javën e kaluar, dhe aty është kërkuar që Gjykata të lëshojë urdhër që Kurti të shkojë për të dhënë dëshminë e tij.
Pas lëshimit të këtij urdhëri, Kurti është i obliguar të paraqitet vullnetarisht në PSRK, dhe në rast të refuzimit për një gjë të tillë, urdhri i Gjykatës i dorëzohet edhe Policisë, e cila më pas duhet ta sjellë ‘rebelin’ për të dhënë dëshminë.
NACIONALE ka shpalosur konsekuencat e një transgresioni të tillë duke iu referuar Kodit të Procedurës Penale për sa i përket mosparaqitjes së dëshmitarit.
Masa e parë e dëshmitarit refuzues është shqiptimi i një gjobe në lartësinë e 250 eurove për secilën herë që nuk paraqitet.
Vazhdimi i refuzimit, pas dëbimit me gjobë, mund të penalizohet me burg për dëshmitarin sfidues të ligjit.
“Kur dëshmitari refuzon të dëshmojë, atëherë mund të burgoset. Burgimi zgjat derisa dëshmitari nuk pranon të dëshmojë apo derisa dëshmimi i tij bëhet i panevojshëm, ose derisa procedura të përfundojë, por jo më shumë se një (1) muaj”, thuhet në kod.
Imazhi i të arratisurit modern
Sidoqoftë, kryeministri që i shpërfill ligjet e shtetit të tij ka një histori tejet problematike në këtë drejtim.
Mospërgjigja ndaj ftesave të organeve të drejtësisë ka qenë ana e errët e njeriut që shpesh iu ka shpallur luftë prokurorëve, gjyqtarëve e institucioneve të drejtësisë.
Në nëntor të vitit 2015, ai kishte marrë ‘malin’ duke u arratisur pas lëshimit të urdhërarrestit nga gjykata.
Kjo situatë ishte përftuar kur Kurti, si deputet i Lëvizjes Vetëvendosje dhe nënkryetar i saj, kishte hedhur disa here me radhë gaz lotsjellës në seancat e Kuvendit të Kosovës.
Për javë të tëra, ai kishte qëndruar në arrati dhe larg dorës së shtetit, duke u fshehur në shtëpitë e aktivistëve—asokohe ishte përfolur në formë dyshimi se Kurti ishte fshehur në Gllogjan te Haradinajt, me të cilët ishte në aleancë opozitare.
Jorastësisht, Kurti ishte bërë i gjallë në protestën e mbajtur më 28 nëntor 2015 si bashkëndërmarrje e tri partive opozitare.
Me një veprim të papritur, me të cilin kishte alienuar dy partitë aleate, AAK-në dhe Nismën, Kurti ishte bërë ‘ylli’ i protestës.
Nga një i arratisur, i dalëligji, ai kishte mbajtur një fjalim plot patos me të cilin, ndër të tjerash, e kishte bërë për pesë pare edhe “flamurin lara-lara”.
Siç shihet nga videot e asaj dite, duke qenë në dijeni se Policia do ta arrestonte, rreth Kurtit ishte bërë një kordon me trupat e militantëve të tij për të shmangur arrestimin.
Me këtë ‘blindim’ njerëzor, ai ishte përcjell nga sheshi ‘Zahir Pajaziti’ gjer të rruga ‘UÇK’ ku asokohe ishte selia e Vetëvendosjes.
Në shoqëri të autokratëve
Anipse Kurtit i pëlqen në intervista për media të huaja ta përshkruajë Kosovën si demokracinë më të mirë në rajon, sjellja e tij nuk rrin krahë-për-krahë me atë të liderëve të përgjegjshëm e me ndjeshmëri ndaj zbatimit të ligjit.
Refuzimi ngulmues për t’iu përgjigjur ftesave të Prokurorisë i bën vend atij te politikanë që nuk janë shembull i mirë.
Sjellje të tilla kishte shfaqur ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi i kredhur në disa raste ligjshkeljesh, prej mashtrimit me taksa e deri te ryshfeti. Politikani miliarder shpesh iu bënte naze ftesave për të dëshmuar, duke u hequr sikur kishte tepër shumë përgjegjësi si kryeministër.
Diçka të tillë pati bërë edhe ish-kryeministri pakistanez, Nawaz Sharif, i përfshirë gjer në fyt në raste korrupsioni për të ashtuquajturat Letra të Panamasë. Ai nuk i bindej gjithmonë ftesave të Byrosë Kombëtare të Përgjegjësisë, duke u viktimizuar sikur procesi ishte i motivuar politikisht.
Pas rrëzimit të ish-presidentit prorus në Ukrainë, Viktor Yanukovych, ai ishte ftuar për t’u marrë në pyetje për rolin e tij në krimet ndaj protestuesve.
Por, ish-presidenti i strehuar në Rusi i kishte thënë ‘Jo’ ftesave të tilla, duke pretenduar se rrezikohej prej përndjekjeve politike.
Rrugës së Turqisë
Megjithatë, Turqia, nga të gjitha demokracitë joliberale, ka episodet më të pakëndshme për sa i përket sjelljes së liderit autoritar kundrejt institucioneve të pavarura të drejtësisë.
Në dhjetor 2013, prokurorë të njohur turq hapën një hetim të madh për korrupsion ku përfshiheshin zyrtarë të lartë, përfshirë edhe familjen e Recep Tayyip Erdoğanit.
Ky hetim ishte sipërmarrë prej prokurorit Zekeriya Öz si dhe kolegëve të tij Celal Kara dhe Muammer Akkaş.
Por, autokrati grushthekurt Erdoğan i kishte shkarkuar prokurorët në fjalë, duke i akuzuar paushall si pjesë të një komploti gylenist.
Kjo kishte bërë që prokurori i njohur, Zekeriya Öz të arratisej në Gjermani asisoj që të shmangte arrestimin.
Ferri i vërtetë për prokurorë e gjyqtarë do të vinte tre vjet më vonë pas grushtshtetit të 15 korrikut të vitit 2016.
Duke akuzuar se Fethullah Güleni kishte mbështetës gjithandej gjyqësorit, polcisë dhe ushtrisë, mbi 4 mijë gjyqtarë e prokurorë u shkarkuan dhe arrestuan.