Në fund të muajit korrik të 2020-ës, Qeveria e Kosovës mori vendim që nga 1 gushti deri më 1 dhjetor të atij viti, mërgimtarët të mos paguanin për policën e sigurimit kufitar.
Pagesa prej 15 deri në 20 euro për “Kartonin e Gjelbër” do të mbulohej nga Qeveria, me qëllim që bashkatdhetarët të shmangnin shpenzimet shtesë dhe të mos humbnin kohë në pikat kufitare.
Qeveria u dakordua me Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS) që kjo e fundit të aplikonte në Thesarin e Shtetit për mbulimin e këtyre policave.
Paratë më pas u transferuan te kompanitë e sigurimeve të licencuara nga BKS.
E njëjta marrëveshje u përsërit edhe në vitin 2021, por këtë herë nisi nga muaji korrik dhe zgjati deri në fund të vitit.
Mirëpo, Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin nuk i doli zot mërgimtarëve.
Sipas të dhënave të siguruara nga Kiks Kosova, në vitin 2020, BKS-ja lëshoi 87,294 polica me një vlerë totale prej 1,159,000 euro.
Megjithatë, Ministria e Financave pagoi vetëm 866,000 euro, duke lënë një borxh prej 292,000 euro.
Në vitin 2021, numri i policave të lëshuara u rrit në 277,315, me një vlerë totale prej 3,594,000 euro.
Nga kjo shumë, Qeveria pagoi vetëm 3,167,000 euro, duke lënë një borxh shtesë prej 426,000 euro.
Në total, për vitet 2020 dhe 2021, Qeveria Kurti i mbeti borxh BKS-së rreth 718,000 euro.
Emisioni i kërkoi ato edhe zyrtarisht mirëpo këto të dhëna nuk erdhën asnjëherë në postën tonë elektronike, ndonëse zyrtarët e Byros, premtuan se do t’i dërgojnë ato.
As Ministria e Financave nuk dha ndonjë arsye se përse nuk i ka kryer obligimet financiare si dhe pse nuk i ka rimbursuar të gjithë bashkëatdhetarët.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, në 2022-ën dhe 2023-ën, Qeveria ndryshoi modelin e rimbursimit.
Mërgimtarët duhej fillimisht të paguanin policën e sigurimit kufitar në pikat kufitare dhe më pas të aplikonin për rimbursim.
Nga 1 korriku deri në fund të dhjetorit, mërgimtarët bënin pagesën dhe më pas aplikonin për rimbursim në modulin e krijuar nga Ministria e Financave.
Megjithatë, sipas burimeve të Kiks Kosova, gjatë periudhës 1 korrik – 31 dhjetor 2022 dhe 2023, janë rimbursuar vetëm 10,069 mërgimtarë, në një vlerë totale prej 201,902 euro.
Kjo përbën vetëm 1.47% të bashkatdhetarëve që kanë paguar këtë sigurim.