Në orën 12:20 të mesnatës së 10 shkurtit 2025, gjysmë orë pasi rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit, po e nxirrnin fituese partinë e Albin Kurtit, ky i fundit do ta ‘festonte’ atë fitore në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, me një fjalim pezmi ndaj opozitës kosovare – përmbajtja e së cilit – kishte edhe këso fjalie:
“…Thojshin buxheti i shtetit do të bëhet më i madh se Bruto Produkti vendor – çfarë hajvanash! Ose, jepshin premtime për koeficinent, ma shumë se në programin e tyne – çfarë hajvanash. Po ka kalu koha e hajvanatit…”
Fiks një javë më vonë, komenantatori më i njohur kosovar i futbollit, Andin Lokaj, në një transmetim të ndeshjes Inter-Juventus, do ta ‘përshëndeste kryeministrin me të njëjtën monedhë’ – në atë që ai më vonë do ta quante si ‘protestë kundër autokracisë’.
Veç një dëshirë e kam sonte, e dëshira ime më e madhe është që kryeministri jonë aktual që është ma hajvani në histori të njerëzimit të mos më dëgjojë sonte, se me ditë që ai më dëgjon sonte, unë qitash e nali komentimin edhe iki te shpia. Kryeministri ma hajvan n’histori…e tash vazhdojmë.
Por, Lokaj nuk do ta vazhdonte atë natë komentimin e ndeshjes, pasi në pjesën e dytë, kompania ArtMotion do të njoftonte suspendimin e tij.
Me Lokajn e suspenduar tashmë, vëmendja e opinionit publik – në shkallë të gjërë natën e 16 shkurtit ishte zhvendosur te togfjalëshi i njohur: ‘liria e shprehjes’.
A ishte cenuar kjo e shenjtë – në ato momente kur goja e Lokajt nxori ato fjalë?
Po në rastin e Albin Kurtit?
Ose, pse si rrallëherë në diskutimin e së shenjtës ‘liria e shprehjës’ – një qytetar i lirë i këtij vendi, që profesion e ka komentimin e ndeshjeve sportive dhe protestoi në ‘artin’ e tij – (ashtu siç ka ndodhur shpesh nëpër dynja) – u “mor peng” nga një pjesë e shoqërisë për ta gjykuar në ‘blasfeminë’ e tij përballë politikanit që votuesit e vetë e quajnë ‘Baba’.
Në një intervistë me Burim Pacollin, Andin Lokaj thotë se ato që i tha, i tha ‘me gjithë shpirtë’.
Pse?
Intervista e plotë:
Andin Lokaj: Ishte procedurë e zakonshme, dhash deklaratën time atë çka pata me dhanë. Thash që e kam mbrojte dinjitetin e kompanisë dhe pranoj çfarëdo lloj vendimi nga Komisioni disiplinor.
Burim Pacolli: Çka të ka shky realisht me vepru ashtu, në një transmetim live, në prime time?
Andin Lokaj: Ka qenë me vetëdije të plotë. E thash dhe kam thënë edhe më herët, nuk kam kurrgjë kundër kryeministrit as kurrkujt. Kam shokë në të gjitha partitë politike. Mesazhi i gjithë kësaj, ka qenë unifikimi. Atë që ai e tha fatkeqësisht e tha gjatë fushatës, një deklaratë e pamatur. I pamatur isha edhe unë, e pranoj.
Burim Pacolli: Qysh ndihesh sot, kur e dëgjon këtë video, kur i sheh këto pamje? A e kishe ribë të njëjtën prapë?
Andin Lokaj: Po, patjetër që po. Kjo nuk ka të bëj asgjë negative. Është vetëm pozitive.
Burim Pacolli: E pse po mendon që është pozitive, Andin?
Andin Lokaj: Është thirrje për unifikim. Është një situatë shumë e vështirë edhe në aspektin global, dhe neve si kurrë më parë na duhet unfikim. Me plot shpirtë e kam thënë. Njerëzit e kanë marrë ndryshe, i kuptoj të gjithë. Jetojmë në demokraci. Por e dua këtë vend, e dua të unifikuar.
Burim Pacolli: Çfarë komenti ke për ata që thonë se ishte deklaratë totalisht e pavend, ishte një event sportiv dhe u përfshitë në një narrativ politik, nuk kanë të bëjnë me njëra tjetrën?
Andin Lokaj: Është e vërtetë kjo. E kuptoj një anën tjetër të medaljes, që nuk ka qenë aspekti profesional. Megjithatë, për pjesën tjetër të medaljes, ka qenë thirrje për unifikim, e kam mbrojtë dinjitetin e kompanisë dhe kolegëve të mi. Kanë qenë të goditur gjatë gjithë fushatës. Nuk mendoj se kjo duhet t’i ndodhë këtij vendi.
Burim Pacolli: Në prononcimin tënd të parë për Nacionalen, ke thënë se ka qenë mesazh direkt kundër autokracisë. A e llogarisni qasje autokrate të Qeverisë?
Andin Lokaj: Në raport me mediat po. Në fushat tjera, nuk e di nuk e njoh shumë. Me mendu krejt njëjtë, nuk është asgjë interesant më. Unë kam thënë ashtu siç the edhe ti dhe i qëndroj prapa kësaj. Kjo duhet të zhduket sa më shpejt në vendin tonë. Nuk e kemi lluksin të jetojmë në nje vend ku iu mbyllet goja mediave. Kjo është shumë tragjike.
Burim Pacolli: Qysh kanë qenë këto 72 orët e fundit, duke marrë parasysh që ke qenë në qendër të vëmendjes, nganjëherë me komente jo edhe aq të mira?
Andin Lokaj: Ka pasë përkrahje shumë. Faleminderit Berat Buzhalës dhe Lirim Mehmetajt. Nuk jam kundër asnjë komenti. Të gjithë kanë të drejtë të prononcohen. Kjo është demokracia. Por po e them prapë, besoj që e kam bërë më të mirën. Më e mira është ajo që shpresoj me ndodhë: unifikim, jo përçarje.