Komentatori i sportit, Andin Lokaj e ka komentuar edhe njëherë tjetër veprimin e tij të së dielës i cili ngjalli shumë reagime. Lokaj e kishte cilësuar si “hajvan” kryeministrin Kurti, ndërkaq kompania e kishte larguar nga komentimi në pjesën e dytë.
Ndeshja derbi e xhiros së 25-të në Serie A mes Juventus e Inter kishte nisur me mesazhe kundër kryministrit Kurti. Komentatori Andin Lokaj e kishte cilësuar “hajvan” shefin e ekzkutivit, teksa kishte bërë lutje që ai mos ta shikoj ndeshjen.
Lokaj kishte ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, teksa kompania kishte reaguar shpejt duke e larguar të njëjtin nga komentimi i pjesës së dytë.
Vetë Lokaj ka thënë se veprimet e tij kanë qenë të menduara dhe se i njëjti ka pasur për qëllim që të përçoj një mesazh të mirë te publiku.
Sipas tij, Kosovës i duhet unitet në këto kohëra të vështira dhe jo përçarje.
“Ata që më njohin e din çfarë personi jam dhe e respektoj secilin njeri. Mirëpo ajo çfarë ndodhi ishte për të mbrojtur dinjitetin e kompanisë dhe punëtoreve të cilët fatkeqësisht gjatë zgjedhjeve janë sulmuar në terren dhe kjo ishte për secilin prej tyre. E pranoj se nuk ka qenë aspak e mirë ajo që kam bërë në komentim por ishte shkaku i respektit të kompanisë dhe punëtorëve të saj. Ky është një mesazh për unitet dhe jo për përçarje sepse jemi në një kohë të vështirë”, ka thënë Lokaj për TopChanel.
Lokaj ka komentuar edhe vendimin e radhës të kompanisë, i cili akoma nuk është bërë i ditur.
“Është një masë e suspendimit e cila ende nuk është bërë e ditur, po unë do të pranoj secilën masë. Jam i pastër si loti”, ka vazhduar tutje Lokaj.
Sipas komentatorit kontrovers, fjalët që ai i ka përdorur janë fjalët e kryeministrit Kurti të përdorura në fushatë.
“Ka qenë urdhër që të mos e vazhdoj pjesën e dytë dhe e mora me sportivitet dhe është normale. Këtë fjalë e ka përdorur Kurti në drejtim të një pjese të elektoratit dhe mendoj se nuk është e hijshme në një kohë kur na duhet uniteti dhe jo përçarja”, ka përfunduar ai.