Prishtinë – Gjykata Supreme, ka refuzuar aktakuzën ndaj pesë të dënuarve për mashtrim dhe shpëlarje të parave, me ç’rast ka ndërprerë dënimin me burgim ndaj Estrida Bunjaku dhe Vigan Bunjaku, ndërsa ka shtyrë ekzekutimin e aktgjykimit të gjykatës së shkallës ë parë ndaj të akuzuarve, Burim Vokrri, Xhemajl Arifi dhe Valon Orllani.
Gjykata Supreme e Kosovës, përmes kolegjit penal, ka marrë një vendim pas shqyrtimit të kërkesave për mbrojtje të ligjshmërisë.
“Ndaj të dënuarve E.B dhe V.B, ndërpritet menjëherë vuajtja e dënimit me burgim, ndërsa ndaj të dënuarve B.V, Xh.A dhe V.O, shtyhet ekzekutimi i aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti i Krimeve të Rënda PKR.nr.60/2023 të datës 19.10.2023”, thuhet në vendimin e Supremes i nxjerrë më 6 shkurt 2025, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë më 15 qershor 2022, i kishte shpallur fajtorë pesë të akuzuarit për mashtrimin e 176 blerësve të banesave, Estrida Bunjakun, Burim Vokrrin, Vigan Bunjakun, Xhemajl Arifin dhe Valon Orllanin, duke i dënuar (së bashku) me 30 vite burgim dhe 450 mijë euro gjobë. Kurse, Faton Orllani ishte liruar nga aktakuza për veprën penale “Pastrim parash”.
Por, ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, duke refuzuar akuzën ndaj të akuzuarës Estrida Bunjaku për veprën penale “Shmangie nga tatimi” dhe duke aprovuar ankesat e mbrojtësve të akuzuarve Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku, Burim Vokrri, Valon Orllani, dhe Xhemajl Arifi.
Megjithatë, Themelorja edhe në rigjykim, më 19.10.2023, i kishte dënuar pesë të akuzuarit e lartcekur (së bashku) me 20 vjet burgim dhe 330 mijë euro.
Lidhur me këtë vendim, Apeli kishte vërtetuar vendimin e Themelores, lidhur me dënimin me burgim dhe me gjobë.
Sipas arsyetimit të Supremes, lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, janë paraqitur kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë nga ana e mbrojtësve të dënuarve, si dhe kërkesa e të dënuarit Arifi kundër aktgjykimit me nr. me të cilin të dënuarit janë gjykuar për shkak të veprës penale në bashkëkryerje mashtrimi dhe shpëlarje të parave.
Për këto kërkesa, Gjykata Supreme ka marrë vendim meritor, me ç’rast aktgjykimin e lartcekur e ka ndryshuar, ashtu që ndaj të dënuarave është refuzuar akuza për veprat për të cilat u vihen barrë.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 12 maj 2016, të pandehurit Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku, dhe Burim Vokrri ngarkoheshin me veprat penale “Krim i organizuar” dhe “Mashtrim”, pasi që sipas aktakuzës, nga 2 shtatori i vitit 2009 e deri më 15 maj 2014, të tre duke vepruar në formë të grupit kriminal, kanë përfituar mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej rreth 2 milionë euro.
Një gjë e tillë, sipas aktakuzës, ishte arritur përmes paraqitjes së rreme, duke i fshehur faktet, gjë që i ka shtyrë personat e tjerë të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, dhe ka sjellë në lajthim rreth 176 qytetarë duke iu paraqitur oferta të volitshme për shitjen e banesave, në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë.
Prokuroria pretendonte se fillimisht Estrida Bunjaku, e ka regjistruar kompaninë e biznesit NSHN “ERA”, ndërkohë më 14 tetor 2009, ka regjistruar edhe kompaninë “Venis-O-GR”, SHPK, sipas të cilës kjo kompani ka pasur për veprimtari primare ndërtimin e lartë dhe të ulët, përmes të cilës, sipas prokurorisë ka filluar aktiviteti i grupit të organizuar kriminal, i udhëhequr dhe mbikëqyrur nga Estrida Bunjaku.
Prokuroria pretendonte se këta tre të pandehur fillimisht, të dëmtuarve iu kanë ofruar nënshkrimin e para-kontratave me të gjitha të drejtat dhe obligimet, me premtimin e ndërtimit dhe dorëzimit të banesave, në afatin e paraparë si në para-kontratë 12-18 muaj.
Gjithnjë sipas aktakuzës, paraprakisht të dëmtuarit kanë qenë të detyruar që mjetet financiare në shumë më të vogël prej 5 mijë euro e deri në shumën më të madhe prej 200 mijë euro, t’i paguajnë në xhirollogarinë e kompanisë “Venis O – Group” dhe në xhirollogarinë personale të të pandehurës Estrida Bunjaku, e që përmes zyrtarëve të vet këto shuma i ka tërhequr brenda ditës.
Ndryshe, Estrida Bunjaku, Xhemail Arifi, Burim Vokrri, Valon Orllani dhe Faton Orllani, akuzoheshin për kryerjen e veprës penale “Shpëlarja e parave”, ashtu që mjetet financiare në shumën e lartcekur, duke ditur se burojnë nga aktiviteti kriminal, duke tentuar t’i konvertonin, transferonin, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë.
E pandehura Estrida Bunjkau, në pikën e tretë të aktakuzës ngarkohej edhe për kryerjen e veprës penale “Shkaktim i falimentimit”, ashtu që si person përgjegjës në organizatën e biznesit, duke ditur paaftësinë paguese të organizatës së biznesit, me shpenzim joracional të mjeteve apo transferimin e tyre me çmim tejet të ulët, ngarkim të tepruar me borxh, apo marrjen përsipër të detyrimeve joproporcionale, ka shkaktuar falimentimin e subjektit të saj biznesor “Venis O – Group” sh.p.k, biznes ky që, sipas aktakuzës, është themeluar me qëllim të përfitimeve financiare të kundërligjshme.
Ndërsa, po e njëjta, në pikën e katërt të aktakuzës, ngarkohej me kryerjen e veprës penale “Shmangie tatimi”, në vlerë prej 80 mijë e 610 euro e 50 centë, ashtu që me qëllim të fshehjes së pjesshme të obligimeve buxhetore, në emër të pagesës së tatimit të të gjitha llojeve që kërkohen me ligj ka dhënë të dhëna të pavërteta lidhur me të ardhurat e biznesit të saj dhe fakteve të tjera relevante rreth gjendjes financiare. /BetimipërDrejtësi