Tre persona kanë vdekur si pasojë e plagëve të marra nga plumbat në tragjedinë e djeshme që ndodhi në Gllogjan të Deçanit. Dorasi gjendet në arrati, ndërsa Policia e Kosovës po vazhdon ekzaminimin e provave.
Gazetare: Ardita Rashiti
Shtatë gjurmë të plumbave. Kaq shihet nga autobusi, brenda të cilit një natë parë vdiqën tre persona – shoferi dhe dy nxënës. Njëjtë si pamjet përtej shiritit, të paqarta mbeten edhe rrethanat e vrasjes së tyre.
Por mobilizimi për t’i zbuluar pistat e dyshimeve, veç po shtohet këtë të shtunë në fshatin Gllogjan.
Janë pesë automjete me zyrtarë policorë që zbarkuan në vendngjarje për t’i bërë ekzaminimet. Nuk mungojnë as njësitet K9.
Situata po mbikëqyret edhe në rrugët e tjera të fshatit. Por, asnjë gjurmë nga vrasësi, i cili një natë më parë, dyshohet se i doli para autobusit. Me të ndalur mjetin i cili po transportonte fëmijë, ky person kishte qëlluar.
Por, ekzaminimi i provave mund të marrë kohë. Këtë e konfirmoi edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë ditës nga stacioni policor në Deçan, i ka dhënë ultimatum vrasësit që të dorëzohet. Ai paralajmëroi se kushdo që ndihmon vrasësin, do të përfshihet në vepër të rëndë penale.
Këtë akt kriminal e ka quajtur të papranueshëm edhe kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj. Autobusi i cili u qëllua, po barte tetë nxënës.