Sot në Gjykatën Speciale për rastin Thaçi dhe të tjerët ka dëshmuar ish-komandanti, Sylejman Selimi.
Seanca e sotme ka pasur tensione ndërmjet ekipeve mbrojtëse dhe panelit të gjyqtarëve.
Avokati mbrojtës i Kadri Veselit ka ngritur një pyetje para se të futej dëshmitari në sallë, duke kërkuar informacione për një mocion të dorëzuar në nëntor të vitit 2024, që kishte kërkuar paanshmëri në procesin gjyqësor.
Rodney Dixon, avokat i Veselit, ka shprehur shqetësimin se pyetjet e gjyqtarëve nuk ishin të paanshme dhe ishin përdorur për të formuar përfundime të caktuara, duke theksuar se ato ishin të paqarta dhe jo sqaruese.
“Sot pyetjet nuk janë të paanshme, janë pyetje josqaruese, por janë pyetje që u përdoren si bazë nga gjykatësit për të dalë në përfundimet e tyre”, ka thënë mbrojtësi i Veselit.
Në përgjigje, gjyqtari Charles L. Smith është shprehur me nervozizëm, duke thënë se pyetjet do të vazhdojnë siç kanë qenë deri tani dhe ka kërkuar që dëshmitari të ftohej në sallë.
Pas kësaj, është parë edhe një reagim nga Kadri Veseli, i cili është ngritur dhe ka biseduar me një anëtar të ekipit të mbrojtjes.