Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me vlerësimin e pakove me fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës.
Sipas KQZ-së, deri sot në ora 12:00, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar 8 mijë e 776 zarfe apo pako me fletëvotime, prej të cilave janë aprovuar 8 mijë e 247 pako, ndërsa 529 janë refuzuar për arsye të ndryshme.
Bëhet e ditur se 359 zarfe janë refuzuar gjatë regjistrimit. 34 të tjera janë refuzuar për shkak të më shumë se një fletëvotimi brenda zarfit. Në mungesë të vulës, apo pullës postare janë anuluar 5 zarfe. 16 të tjera janë anuluar për shkak të mospërputhjes, pra shteti i dërgimit të zarfeve ishte i ndryshëm me shtetin nga ku votuesi është regjistruar.
Tutje aty u bë e ditur se 50 zarfe janë anuluar për shkak se kishte vetëm dëftesa, pa fletëvotim. 29 zarfe sipas KQZ-së janë anuluar për shkak se kanë dërguar më shumë se një herë zarfin me fletëvotim.
Tutje thuhet se gjatë periudhës së votimit përmes postës, KQZ ka pranuar 68 mijë e 712 pako me fletëvotime, ndërkaq numri i votuesve të regjistruar për votim përmes ishte 84 mijë e 600.
“Në përfundim të vlerësimit të këtyre pakove, do të dihet saktë se sa është numri i pakove me fletëvotime të cilat do t’i nënshtrohen numërimit. Sipas procedurave, pakot me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, thotë KQZ-ja.
Në përgjithësi, numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 104 mijë e 924, prej të cilëve 20 mijë e 324 ishin regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike, por votuan vetëm 15 mijë e 352, ndërkaq për votimin përmes postës ishin regjistruar 84 mijë e 600 shtetas.