Kirugu vaskular Jetmir Gashi, humbi jetën në një aksident të rëndë trafiku mbrëmë në Caralevë.
Ky rast e shokoi të gjithë komunitetin mjekësor.
Shumë i pikëlluar nga kjo ngjarje e rëndë mbeti edhe kardiokirugu Leonard Bytyqi, i cili ishte shok i ngushtë i 42-vjeçarit.
Bytyqi në emisionin “Fol me Arin” në Klan Kosova shpalosi kujtimet me mikun e tij.
Ai tha se vdekja e doktorit Jetmir Gashit, është humbje e madhe.
“Shkoj shumë herët, pa pritur dhe na la me mërzinë gjithë jetën”, tha Bytyqi në Klan Kosova.
“Jam në një gjendje të rënduar psikike, për shkak të mërzisë që na ka kapuar. Doktor Jetmirin e kam pasur shok të ngushtë unë edhe koleg. Që nga viti 2011-të kemi qenë të pandashëm. Kemi punuar në urgjencën e Suharekës bashkë për pesë vjet”, theksoi ai.
“Me fjalë është vështirë të përshkruhet karakteri edhe integritet personal dhe profesional i doktor Jetmirit. Ka qenë një shok i ngushtë i imi, por edhe i shumë të tjerëve. Modest, shpirtmirë, i pa fjalë dhe humbja e tij në këtë humbje tragjike, është një humbje e madhe për krejt shoqërinë tonë, për komunitetin mjekësor, për Kirurgjinë Vaskulare, për familjen”, shtoi Bytyqi për Klan Kosova.
Doktori Jetmir Gashi, la pas vetës gruan dhe dy fëmijë.