Për diskutime pas zgjedhore…pas numërimit të të gjitha votave.
Kështu kondenzohet qëndrimi i dytë nga Lumir Abdixhikut, pretendenti për kryeminstër vendi nga LDK-ja, pas përfundimti të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Abdixhiku, në shkrimin më të fundit, pezullon të dhënit konstatime paszgjedhore deri në kryerjen e të gjitha numërimeve të votave, për çka tha se LDK-ja mëpastaj “do të vendos si një”.
Abdixhiku pritshmëritë zgjedhore i përkthen kështu: “LDK do t’i ketë në fund plot 180 mijë vota. LDK do ta arrijë rreth 20%”.
Megjithëkëtë, vëren ai, “ky rezultat nuk është rezultat ndryshimi për Kosovën; sepse populli i Kosovës ka tjera preferenca”.
Qysh janë qëndrimet tjera?
Albin Kurti, kryetar i Vetëvendosjes, pretendon se do të ketë qeveri të tretë të vetes, por s’ka dhënë as edhe një shpjegim se ku do t’i marrë aleatët e koalicionit për t’i bërë numrat.
PDK dhe AAK-Nisma, pa-një-pa-dy, në tërësi janë deklaruar kundër çfarëdo koalicioni të mundshëm me partinë Vetëvendosje.
Bedri Hamza, i cili ngadhënjye me rezultat të favorshëm si forcë e dytë politike në vend, në konferencë për media skicoi qendrimet e partisë vet: që nuk hyjnë me VV-në.
Hamza tha se Vetëvendosja humbi shumicën parlamentare dhe atë shqiptare, dhe se me t’u shterruar afatet kushtetuese të mandatarit të parë, do të synojë formim të qeverisë nga forcat opozitare.
“Ata i ofenduan kundërshtarët politikë dhe qytetarët. Ata nxitën urrejtje, kurse ne bashkimin dhe bashkëpunimin. Prandaj, ne e kemi detyrim dhe përgjegjësi që t’ju japim qytetarëve qeverinë që ata duan dhe që e kanë votuar”, tha Hamza.
“Rezultati zgjedhor është që shumica e qytetarëve shqiptarë duan qeveri të re. Procedurat janë të qarta. Partisë së parë i takon të provojë t’i krijojë institucionet. Nëse nuk mundet, opozita si fituese e këtyre zgjedhjeve, mund ta bëj qeverinë e re”, tha ai.
Edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka mohuar çdo mundësi të bashkëpunimit me VV-në. Në një konferencë për media, ai ka thënë do të ndihmoj formimin e një qeveria nga partitë opozitare.
“Unë mendoj që është në nderin tim që të ndihmoj një qeveri të opozitës assesi me LVV, pra me zotin Kurti”, ka thënë Haradinaj.
Në adresimin e tij të parë mediatik natën e zgjedhjeve Haradinaj u shpreh mirëbesues se kjo edhe do të ndodhë.
“Opozita i ka fitu zgjedhjet edhe pres me padurim të bashkëpunojmë për krijimin e qeverisë së opozitës…Na vjen mirë që mundi ynë ka rezultu me fitoren e opozitës. Opozita krijon shumicë solde dhe i jep Kosovës qeveri të qëndrueshme. Besoj se kjo do të ndodh”, tha ai.
Postimi i plotë i fundit i Abdixhikut:
Të dashur mbështetës,
Vërtetë doja të prisja numërimin e rezultateve – edhe plot 100 mijë votave të tjera – para se të nisnim diskutimin paszgjedhor; por në gjithë helmim e vrerin politik të tanishëm edhe pritja e një gjëje bazike duket e pamundur.
Përveç kësaj, kemi dhe një KQZ që as edhe një gjë bazike për të cilën kishte kohë plot 4 vjet të përgatitet – si numërimi i votave – nuk arrinë ta bëjë. Kthehuni në metodë klasike aman! Numërim është ky!
Tani, sa i përket rezultatit.
Po, LDK do t’i ketë në fund plot 180 mijë vota.
Po, LDK do ta arrijë rreth 20%.
Po, ky është rezultat i mirë pas rënies historike.
Kokën lartë secili!
E rëndësishme që kemi rigjetur njëri tjetrin, jemi kthyer në bazë. E rëndësishme që kemi rikthyer veten në numrat tanë historik. Kjo është baza jonë!
LDK nuk i ka fituar zgjedhjet, do të donim këtë në veçanti ne, këtë e dijmë, por LDK pritet ti shtojë plot 80 mijë vota; e kapërcimi prej 12 në 20% do të vërtetohet si arritje e jashtëzakonshme. Prisni pak ditë. Ne nuk e kemi nisur garën as me 50% as me 20%. Ishim vetëm 12%! Sot, mbështetemi në qytetarinë që na jep edhe qetësi edhe shtytje për rrugëtimin e ri!
Pavarësisht të gjithave, siç e thash në Konferencën e natës së zgjedhjeve, ky rezultati nuk është rezultat ndryshimi për Kosovën; sepse populli i Kosovës ka tjera preferenca. I respektojmë.
Do t’i respektoj këto preferenca sepse nuk di ndryshe! Qëndrimet e mia e të LDK-së paraelektorale mbeten edhe zotime të sotme. Le të mësohemi me një politikë ku mbajtja e fjalëve është standard bazik e ku marrja e pushtetit me çdo kusht nuk është qëllim!
Gjithsesi, për të gjitha këto do të vendosim si një!
LDK është shtëpi e demokracisë!
Le të presim numërimet!
Le të ecim drejtë e siç dijmë ne!
Dritë do të ketë sërish!