Kush tjetër mund të ishte përveç Burim Berishës, kryetari që ka triumfuar në çdo zgjedhje në komunën e Fushë Kosovës. Kjo edhe falë “kujdesit” të tij të rrallë për mirëqenien e administratës. Po flasim për një lider që ua “mban” telefonat punonjësve të komunës, njësoj siç ua “mbushi” shpresat gjatë fushatave, vetëm se këtë herë bëhet fjalë për kartat e telefonit me shumë prej mbi 25 mijë euro për një vit, shkruan Demokracia.com.
Zyra e kryetarit Burim Berisha u bë “bamirëse” në janar të këtij viti, duke ndarë rreth 15 mijë euro për mbushjen e kartave telefonike për 112 punëtorë të administratës. Pse të shqetësohen për pagesën e kartave telefonike kur kryetari vetë kujdeset për këtë detaj. Edhe udhëheqësit e komunës do të përfitojnë rreth 10 mijë euro për mbushje në vit. Po ashtu edhe të tjerët në administratën komunale.
Demokracia.com ka shqyrtuar raportet financiare për të cilat Berisha ka marrë vendim. Ai kishte vepruar në të njëjtën mënyrë edhe në vitin e kaluar, por me shuma pak më të vogla.
Kush përfitoi?
Vendimi për furnizimin me mbushje telefonike për dy zyrtarët e Drejtorisë së Shërbimeve Publike është 50 euro në muaj për periudhën janar-dhjetor 2025.
Vendimi për furnizimin me mbushje telefonike për udhëheqësit e komunës është në total 9950 euro për periudhën janar-dhjetor 2025.
Vendimi për furnizimin me mbushje telefonike për Drejtorinë e Inspektimit është 10 euro në muaj për periudhën janar-dhjetor 2025.
Vendimi për furnizimin me mbushje telefonike për 120 punonjës të administratës komunale është 14,400 euro për periudhën janar-dhjetor 2025.
Vendimi për furnizimin me mbushje telefonike për zyrtarët e Drejtorisë së Buxhetit dhe Financave është 20 euro në muaj për periudhën janar-dhjetor 2025.
Vendimi për furnizimin me mbushje telefonike për disa zyrtarë shëndetësorë publikë dhe disa shërbime sociale është 10 euro në muaj për Drejtorin e QKMF-së, 10 euro në muaj për katër shërbimet e Institucioneve Shëndetësore dhe Sociale, si dhe 5 euro në muaj për katër zyrtarë të institucioneve shëndetësore.
Me një përkushtim kaq të madh për mbushjet telefonike, ndoshta në Fushë Kosovë ka mbetur vetëm një problem pa zgjidhur nëse ka ende nevojë dikush për kredit telefonik, apo kryetari i ka mbuluar të gjithë. /Demokracia.com/