Sot në stacionin policor “Jugu” në Mitrovicë, është paraqitur ankuesi, banues në Mitrovicë të Jugut, i cili ka deklaruar se para një jave e kishte ftuar në takim në një lokal i dyshuari, i cili i kishte thënë ankuesit që ai të votonte për subjektin politik “Lista Serbe”.
Në të kundërtën ai do ta largonte nga puna vajzën e ankuesit, e cila ishte duke punuar në kompaninë publike të pastrimit të komunës në Mitrovicë Veri, njëkohësisht kandidate për deputete e një subjekti të këtij komuniteti për zgjedhjet parlamentare.
“Gjithashtu sipas deklaratës së ankuesit, i dyshuari i kishte bërë presion që të gjithë bashkëkombësit e ankuesit të nacionalitetit ashkali nga Mitrovica Jug, të votonin subjektin politik ,,Lista Serbe” në të kundërtën ai do t’ua ndalonte asistencën sociale dhe do ta largonte nga lista për deputete vajzën e tij përmes lidhjeve që kishte me subjektin politik në fjalë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Është kontaktuar prokurori kujdestar dhe me urdhër të tij është arrestuar personi i dyshuar dhe është kryer kontroll në vendbanimin e tij, me ç’rast janë sekuestruar dëshmi të cilat ndërlidhen me rastin.
Është intervistuar personi i dyshuar G.J, 29 vjeçar, dhe pas procedurës së intervistimit, me urdhër të prokurorit, të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.
Ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Cënimi i përcaktimit të lirë të votuesve”.