Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se për të garantuar sigurinë dhe integritetin e procesit zgjedhor në vendvotime, Qendra komunale të numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të vendosen kamera regjistruese.
KQZ njofton se këto kamera do të mbulojnë të gjithë hapësirën e sallave, përfshirë hyrjen dhe vendet ku bëhet pranimi dhe ruajtja e materialeve zgjedhore.
“Kjo siguron një nivel të lartë të mbikëqyrjes dhe mbrojtjes gjatë gjithë procesit zgjedhor. Kamerat do të regjistrojnë pa ndërprerje çdo aktivitet që ndodh brenda hapësirës, duke mundësuar mbikëqyrjen e të gjitha veprimeve të realizuara. Çdo aktivitet në QKN dhe QNR regjistrohet dhe ruhet, duke mundësuar verifikimin dhe kontrollin e çdo detaji të procesit zgjedhor”, thonë nga KQZ.
Tutje thuhet se vendosja e kamera në vendvotime bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës dhe kanë për qëllim të garantojnë sigurinë e materialeve zgjedhore si dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim.