Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës u mbajt takim zyrtar lidhur me planifikimet dhe angazhimin e Policisë në zbatimin e planit operativ “Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, të cilat do të mbahen me datën 09 shkurt 2025.
Në këtë takim kanë marrë pjesë menaxhmenti i lartë, në krye me drejtorin e Përgjithshëm të PK-së kolonel Gazmend Hoxha, drejtorët e departamenteve si dhe udhëheqës e përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare; nga Prokuroria e Shtetit, KQZ-ja, KFOR-i, EULEX-i, OSBE-ja dhe përfaqësues të ambasadës Amerikane e zyrës së BE-së në Kosovë.
Të pranishmit janë njoftuar lidhur me planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet policore, në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, si një proces mjaft i rëndësishëm për vendin.
Drejtori Hoxha, gjatë këtij takimi, ka theksuar se përmes realizimit të planit operativ duhet të krijohet një ambient i sigurt dhe i qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës përmes mbajtjes së rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.