Ukraina ka shënuar gjashtëmujorin që kur ka nisur një inkursion në rajonin rus të Kurskut, që sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, “ua ka sjellë luftën në shtëpi rusëve” dhe mund të shërbejë si kartë në ndonjë negociatë për paqe në të ardhmen.
“Sot shënohet gjashtëmujori i operacionit në Kursk. Me aktivitetet tona operacionale në territorin rus, ne ia kemi sjellë luftën në shtëpi Rusisë”, tha Zelensky gjatë një video-adresimi mbrëmjen e 6 shkurtit.
Forcat ukrainase nisën inkursionin më 6 gusht, duke marrë nën kontroll pjesë të territorit në rajonin e Kurskut, përfshirë qytetin Sudzha.
Zelensky përmendi brigadat e forcave të armatosura ukrainase të përfshira në operacionin në Kursk, por nuk përmendi një kundërofensivë për të cilën është raportuar nga blogerët jozyrtarë ushtarakë ukrainas dhe nga Ministria ruse e Mbrojtjes.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat ukrainase dhe autoblindat kanë kryer tetë valë sulmesh pranë fshatrave Ulanok dhe Çerkasikaja Konopelka. Rusët kanë zmbrapsur përpjekjet për kundërsulm dhe vendbanimet janë nën kontrollin rus, tha Ministria.
Rusia pretendoi se forcat ukrainase kanë pësuar humbje të mëdha, përfshirë më shumë se 200 ushtarë dhe dhjetëra makina. Raportimet nga fushëbetejat nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.
Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase iu referua shkurt aktiviteteve ushtarake në rajonin e Kurskut gjatë vlerësimit për luftimet më 6 shkurt, duke thënë se vetëm pesë përleshje kishin ndodhur nga mëngjesi.
Ukraina ka thënë se përparimin që ka shënuar në Kursk mund ta përdorë si kartë në bisedimet e mundshme për paqe me Rusinë.
“Në një pikë, kur lufta të lëvizë drejt zgjidhjes diplomatike, ne do të shohim se sa i rëndësishëm ishte ky operacion”, shkroi Zelensky në X më 5 shkurt.
Zyra e Zelenskyt tha të enjten se Ukraina është e gatshme të hapë një korridor humanitar për të lejuar qindra civilë rusë, që jetojnë në zonat kufitare që Ukraina i ka marrë nën kontroll, të kthehen në territorin e kontrolluar nga Rusia, raporton REL.
Më shumë se 1.500 civilë ende jetojnë në zonat e rajonit të Kurskut. Disa nga ta janë zemëruar me autoritetet ruse lidhur me humbjen e kontakteve me anëtarët e familjes që besohet se kanë mbetur në anën tjetër të vijës së frontit pa mundësi komunikimi.
“Ne jemi të gatshëm për hapjen e një korridori humanitar në rajonin e Kurskut deri në thellësi të Rusisë në përgjigje të një kërkese zyrtare nga Federata Ruse. Si duket, rusët nuk duan një korridor të tillë humanitar sepse ne nuk kemi pranuar asnjë kërkesë nga ta”, u tha në njoftimin e Zyrës së Zelenskyt, e cila e akuzoi Moskën për “ndërhyrje” në fatin e qytetarëve të saj.