Ka marr epilog historia e keqmenaxhimit në rastin e rrëzimit të kulmit të ndërtesës së komunës së Prishtinës ku më 18 janar 2024, la pas një vajzë të lënduar rëndë dhe disa automjete të dëmtuara, shkruan Demorkacia.com.
Në një aktgjykim të shpallur të ënjten nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Ylber Jashari, në cilësinë e Menaxherit të Kontratën Komunën e Prishtinës për “Rikonstruimin e Kulmit të Objektit të Komunës së Re”, u dënua me 3 vite burgim dhe një gjobë prej 5 mijë eurosh për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në të njëjtën kohë, Bekim Baftijaraj, si pronar i kompanisë kontraktuese për punimet ndërtimore, u dënua me 2 vite burgim për punime të kundërligjshme dhe mosrespektim të standardit profesional. Veprimet e tij rezultuan në dëme materiale dhe njerëzore, duke prekur buxhetin e shtetit për një shumë prej 36,450.29 eurosh.
Megjithatë, Komuna e Prishtinës që qeverisët nga Përparim Rama dhe LDK vazhdoi të shpërblejë të njëjtin pronar kompanie me një kontratë të re derisa pronari i kompanisë po gjykohej. Tenderi iu dha në dhjetor të vitit të kaluar.
Këtë herë, kompania u angazhua për instalimin e shkallëve emergjente në katër shkolla të kryeqytetit, me një kontratë vlerësuar në 84,966.41 euro, ndaj 90 mijë eurove të parashikuar.
Ky zhvillim jo vetëm që vë në pikëpyetje përgjegjshmërinë dhe integritetin e vendimmarrjes në Komunën e Prishtinës, por edhe thekson nevojën për një hetim të thelluar dhe transparencë në tenderime, duke shmangur përsëritjen e skandaleve të korrupsionit dhe favoritizmit në administratën publike.
Bazuar në Ligjin e Prokurimit të Kosovës, një kompani që ka dënim të formës së prerë nuk mund të ofertojë më, as ajo as pronari i saj për dhjetë vite në tender publik, çka do të thotë se i dënuari nuk mund të marr punë më në institucione publike./Demokracia.com/