Mimoza Kusari-Lila ndërhynte në konkurse të brendshme të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Nagip Krasniqi, ish-kryeshef i KEK-ut, kryente punë për gjithçka.
Një bisedë tjetër në platformën e komunikimit WhatsApp, të cilën e ka siguruar Paparaci, dëshmon se si shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje i referonte Nagip Krasniqit emra kandidatësh për pozita pune në KEK.
Komunikimi mes tyre, i zhvilluar më 27 janar të vitit 2022, është pjesë e hetimeve penale që rezultuan me dy aktakuza për korrupsion ndaj Nagip Krasniqit. Këto janë prova të njërës prej lëndëve të inicuara ndaj Krasniqit, por të cilat nuk janë administruar në gjykatë.
Kusari-Lila dukej se kishte komunikim të rregullt me Krasniqin.
Në bisedën e zhvilluar me 27 janar të vitit 2022, ajo i shkruan Krasniqit për një procedurë punësimi që besohet se po zhvillohej asokohe në KEK.
Shefja e deputetëve të LV-së kishte synim sistemimin në punë të dy personave: një inxhinieri, Fidan Mustafa dhe një punëtori, Fatmir Krasniqi.
“Përshëndetje Nagip”, i shkruante Kusari-Lila, ish-kryeshefit të KEK-ut të akuzuar për korrupsion.
Kusari-Lila i drejtohet Krasniqit me dy referenca për dy kandidatë, të cilët e kishin kaluar fazën e parë të procedurës së rekrutimit për dy pozita pune në KEK.
“Deshta vetëm të dërgoj dy referenca për dy kandidatë të cilët i kanë kaluar testet me shkrim: Fidan Mustafa – inxhinier; Fatmir Krasniqi – punëtor”, i thotë Kusari-Lila, Krasniqit.
Në fund të bisedës, pasi i propozon për punësim dy emra, ish-ministrja e Tregtisë i shpreh Krasniqit dëshirën për një proces korrekt.
“Pa ndonjë ngarkesë vetëm se deshta të sigurohemi në proces korrekt”, thekson Kusari-Lila.
Krasniqi, i cili në serinë e shkrimeve për bisedat e publikuara të WhatsApp-it është dëshmuar se i raportonte kryeministrit Albin Kurti dhe zyrtares së Vetëvendosjes, Dejona Mihali, i përgjigjet pozitivisht edhe Kusari-Lilës.
“Falemnderit Mimoza, Do të përkujdesem”, i thotë Krasniqi, Kusari-Lilës.
Paparaci ka dërguar sot pyetje me shkrim në adresë së Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për të kërkuar sqarime nëse dy personat e propozuar nga Kusari-Lila janë punësuar në KEK, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje