Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë me dije se për herë të parë në vendin tonë, po fillon Skriningu Neonatal, apo zbulimi i hershëm i sëmundjeve të rënda dhe gjenetike tek të porsalindurit.
“Dje filloi trajnimi i stafit në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK dhe spitaleve rajonale për kryerjen e testimeve dhe menaxhimin e rasteve të identifikuara. Ky test i thjeshtë, i cili realizohet brenda 24-48 orëve pas lindjes, ndihmon në zbulimin e hershëm të shumë sëmundjeve. Sëmundje që mund të mos kenë shenja menjëherë, por që mund të kenë pasoja të rënda për shëndetin dhe zhvillimin e fëmijës në të ardhmen. Kjo është një nga arritjet më të rëndësishme në mjekësinë parandaluese dhe do të ndikojë ndjeshëm në uljen e vdekshmërisë dhe komplikimeve te foshnjat e porsalindura”, ka shkruar ai në “Facebook”.