Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit E.Th., i cili akuzohet për veprën penale “Vrasja në tentativë”.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari, në cilësinë e pronarit të një lokali në rrugën “Yll Morina” në Gjakovë, më 1 shkurt 2025, rreth orës 10:25, ka sulmuar me thikë të dëmtuarin A.J. pas një mosmarrëveshjeje. Viktima është goditur disa herë në pjesët vitale të trupit dhe fillimisht është dërguar në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ndërsa për shkak të gjendjes së rëndë është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejshëm.
Prokuroria ka njoftuar se ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari ka kryer veprën penale “Vrasja në tentativë”, e paraparë sipas nenit 172 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Gjykata pritet të shqyrtojë kërkesën për paraburgim në ditët në vijim.