Muhamet Hamiti, anëtar i Kryesisë së LDK-së, ka komentuar intervistën e Miroslav Lajçakut, lehtësuesi në largim i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të cilën e publikoi Nacionale.
Sipas Hamitit, kryeministri Albin Kurti ka bërë dëme të pamatshme në procesin e dialogut.
Hamiti ka përkujtuar faktin se Kosova tani gjendet nën masa ndëshkuese të BE-së.
“Kryeministri në largim Albin Kurti i ka bërë dëme të pamatshme Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë. E ka pranuar marrëveshjen më të keqe në këtë proces: Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit më 2023. Po të zbatohet, siç e ka pranuar ai, bashkë me Statutin e Asociacionit, që po ashtu e ka pranuar fillimisht – siç e pohon Llajçaku në intervistën për portalin e lajmeve “Nacionale”, i cili habitet me ndërrimin e qëndrimeve të Kurtit – krijon autonomi politiko-territoriale për serbët e Kosovës, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e Republikës së Kosovës” – ka shkruar Hamiti, ndër të tjera.