Derisa drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ofendon, Albin Kurti u kujdes që t’iu japë një epitet nënçmues edhe të gjithë atyre që e kritikuan Mimoza Kusarin për bisedat dhe pazaret politike me kryekriminelin serb, Milan Radoiçiq.
Mimoza Kusari-Lila e ka pranuar në cilësinë e shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes se bisedoi dhe u koordinua nëpërmjet telefonit me të akuzuarin për terrorizëm, nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, rreth një vendimi parlamentar që prekte veteranët e UÇK-së.
Por Albin Kurti po mundohet ta shfajësojë atë, madje të mohojë një gjë të tillë, duke i quajtur montime raportimet e mëhershme për muhabetet e kryedeputetes së tij me serbin më të rrezikshëm në Kosovë.
“E në publik sulmohej dëshpërimisht çdo ditë nga disa burra, nga disa burreca, nga disa bubrreca të cilët me materiale të montuara e të çmontuara e të rimontuara që ua kishin dhënë miqtë nga Lista Serbe, sulmonin kryetaren tonë Mimoza Kusari-Lila”, thoshte Kurti në një tubim gjatë fushatës.